Prej tre vjetësh, Bashkia e Fierit ka lënë pa shpronësuar shumë banorë të qytetit, të cilëve u ka prekur pronat me investimet që ka kryer. Bëhet fjalë për 172 familje që janë cenuar në pronat e tyre nga rrugët, bulevardet dhe lulishtet që bashkia ka rikonstruktuar gjatë pesë viteve të fundit. Në Departamentin Juridik të Bashkisë pranojnë vonesën e shpronësimeve, ndërkohë që deklarojnë se konfliktet e pronësisë janë problemi kryesor në vonesën e shpronësimeve. Ndërsa banorët e pa dëmshpërblyer kërcënojnë se do të arrijnë të cenojnë investimet e bashkisë nëse vonohen më tepër shpronësimet, shefi i Departamentit Juridik, Luan Çala, shprehet se mungesa e dokumentacionit nga ana e të prekurve prej objekteve të ndërtuara nga bashkia, ka penguar më shumë procesin e shumëpërfolur të shpronësimeve.



Familjet që pretendojnë kompensim kanë organizuar në disa raste protesta para bashkisë, por as këto veprime nuk kanë dhënë shumë shpresa. Një pjesë e tyre pranon se kanë mangësi në dokumentacion, por thonë se në praktikat e mëparshme të ndërtimit të objekteve publike, familjet e dëmtuara janë shpronësuar edhe pse dokumentacioni ka pasur probleme. Kjo për vetë faktin se projektet e bashkisë parashikojnë që në fillim sasinë e pronave të prekura dhe fondin e nevojshëm për kompensim.



"Na janë marrë oborre shtëpie, sipërfaqe tokash, deri dhe ballkone shtëpie, me qëllim që bashkia të mund të ndërtonte dhe të realizonte investimet e saj. Në planet fillestare të objekteve publike të rikonstruktuara nga bashkia përfshihet cenimi i pronave tona, edhe pse dokumentacioni ynë ka munguar, por edhe pas disa vitesh përfundim investimi, ne sërish nuk i kemi marrë lekët", ka thënë një prej të pashpronësuarve.



"Në bazë të dosjeve të shqyrtuara për dëmshpërblim kemi shpronësuar rreth dhjetë pronarë, ka edhe shumë të tjerë që duan. Konfliktet e pronësisë që ata kanë nuk i lejojnë që të plotësojnë dosjet që ne kërkojmë", tha Çala.



Çala shpjegon se për një pronë të cenuar nga investimet e bashkisë ka pasur edhe tre pronarë që duan dëmshpërblim.