25/03/2010 Ende asnjë zgjidhje ligjore
PATOS- Vazhdojnë konfliktet mes këshilltarëve bashkiakë të Bashkisë së Patosit, duke lënë peng i kontradiktave politike shumë vendime dhe probleme sociale të pazgjidhura për komunitetin e Patosit. Për më tepër kreu i këtij këshilli Leonard Behaj i zgjedhur nga forcat politike të djathta, vazhdon të mos njihet dhe cilësohet si i padrejtë dhe jo ligjor për ish kreun e Këshillit Bashkiak Maksim Goga. Madje ky i fundit ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal për mënyrën e shkarkimit të tij nga posti i kreut të këshillit dhe zëvendësimin e tij me Leonard Behaj, të cilin sipas tij jo vetëm Goga, por edhe kreu i Bashkisë, Bardhi Meli, dhe 7 këshilltarët socialistë e quajnë të padrejtë dhe jo ligjor, me gjithë takimin me prefektin Bujar Hasaj, i cili në mënyrë ligjore ka vendosur njohjen e kreut të Këshillit të Bashkisë Patos përfaqësuar nga Leonard Behaj. Bashkia Patos aktualisht ka 2 vula, pasi njëra mbahet peng prej kryetarit të Bashkisë Patos Bardhi Meli.
Nga ana tjetër qysh prej më shumë se 2 muaj sekretari i Këshillit Bashkiak Balil Balili ka depozituar pranë organit të Prokurorisë së rrethit Fier kallëzimin penal ndaj kreut të Bashkisë Bardhi Meli, i cili duke mos njohur zgjedhjet e reja të kreut të Këshillit Bashkiak Leonard Behaj nga PD në vend të Maksim Gogës nga PS mban peng vulën e sekretarit të Këshillit Bashkiak, por për më tepër ka penguar pagën qysh nga muaji dhjetor të sekretarit të Këshillit Bashkiak Balil Balili nga PDI. Janë shqyrtuar në Prokurori dosjet dhe problemi është ende i pazgjidhur. Përplasjet në Këshillin Bashkiak të Patosit kanë mbërritur në gjykatë, ndërkaq prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka vendosur ta cilësojë të ligjshme zgjedhjen e kryetarit të mazhorancës së djathtë, Leonard Behaj. Prefekti i ka dërguar një letër Këshillit Bashkiak Patos, si dhe kryetarit të Bashkisë Bardhi Meli, ku shprehej se vendimet e Këshillit Bashkiak të Patosit, që u morën në mbledhje (mbledhje që u zhvillua në ambientet e një hoteli në Fier, pa pjesëmarrjen e së majtës) janë në përputhje me ligjin si në aspektin procedural, ashtu edhe në përmbajtje. Megjithëse këto vendime janë të pavulosura, sipas prefektit nuk cenon vlefshmërinë e vendimit. E ndërsa vula, e cila është e njëjtë si për Bashkinë, ashtu dhe për Këshillin Bashkiak, ndodhet akoma në duart e ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak, Maksim Goga. Prefekti Hasaj ka nxjerrë një vendim ku thuhet se duhet të formohet një vulë e re prej këshillit të ri dhe një kopje e saj duhet të depozitohet në prefekturë. Tashmë Bashkia e Patosit ka dy vula. Pas vendimit të prefektit kanë nisur deklaratat e ndërsjella mes dy krerëve të Këshillit Bashkiak të Patosit, të cilit të dy pretendojnë ligjshmëri. Ish-kryetari i Këshillit Bashkiak, Maksim Goga, është shprehur për gazetën se ky këshill është antiligjor dhe për këtë i është drejtuar gjykatës, ku ka depozituar padi. Ndërsa lidhur me vendimin e marrë nga prefekti, ai është shprehur: "Vendimi nuk më ka rënë në dorë dhe askush nuk më ka dorëzuar një kopje të tij. Gjithsesi, ne nuk do ta njohim këtë këshill". Ndërsa kryetari i porsazgjedhur, Leonard Behaj, është shprehur: "Tashmë unë jam kryetar, pasi kjo është dokumentuar nga institucioni i prefekturës, i cili ka deklaruar se ky këshill është në përputhje të plotë me ligjin. Në këtë mënyrë më është dhënë e drejta, pasi unë jam zgjedhur nga 19 anëtarë të këtij këshilli, të cilët 18 prej tyre ranë dakord me shkarkimin e ish-kryetarit Maksim Goga". Këshilli Bashkiak i Patosit ka më shumë se 3 muaj që nuk është mbledhur. Shkak ka qenë mocioni i mosbesimit për kryetarin e Këshillit Bashkiak Patos, Maksim Goga, nga ana e këshilltarëve të djathë, të cilëve u është bashkuar edhe grupi i këshilltarëve që përfaqësojnë LSI-në. Duke krijuar një mazhorancë të djathtë në katër mbledhjet e fundit, si në ato të muajit tetori dhe nëntor, kanë tentuar që qysh në fillim të rendit të ditës të merrej në shqyrtim kërkesa për mocion votëbesimi ndaj kryetarit Maksim Goga. Por, kryetari i Këshillit Bashkiak ka kërkuar që për këtë problem të merreshin më vonë, pasi sipas tij ka probleme më të mëdha se shkarkimi i tij, siç ishte ai i aprovimit të fondeve të punëtorëve të gjelbërimit. Në këto kushte, këshilltarët e djathtë kanë zhvilluar një mbledhje në një nga hollet e një hoteli në Fier, ku dhe kanë shkarkuar kryetarin aktual, duke vendosur që drejtuesi i ardhshëm i këtij këshilli të jetë Leonard Behaj. Ish-kryetari i Këshillit Bashkiak, Maksim Goga, është shprehur se nuk e njihte këtë këshill, pasi është i paligjshëm.