fatos nanoPartia Socialiste i ka hapur derën ish-kryetarit të saj Fatos Nano, të cilin e ka ftuar të marrë pjesë në punimet e nesërme të Kongresit të kësaj partie.


Po ashtu, ftesë i është shpërndarë edhe dy ish-presidentëve, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu.


Të pranishëm, gjithashtu, do të jenë dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, kreu i së majtës europiane në Parlamentin Europian, Gianni Pitella, si dhe majtistët e tjerë si Martin Shchultz dhe Massimo DAlema, raporton Dita.


Partia Socialiste po zgjedh këtë javë rreth 400 koordinatorë të cilët do të jenë përgjegjës për jetën politike të partisë për çdo njësi administrative.


Të gjitha minibashkitë, ish-bashkitë dhe ish-komunat që u shkrinë nga ndarja e re territoriale, e që tani po funksionojnë si njësi administrative, do të kenë në këtë mënyrë të parin e partisë.


Anëtarësia socialiste po zgjedh këta drejtues për çdo njësi, në 65 bashki, 308 komuna dhe 11 minibashki të Tiranës, duke shfrytëzuar afatin midis Asamblesë dhe Kongresit.


Ky proces zgjedhor do të duhet të përfundojë brenda ditës së sotme, pasi nesër, do të thirret procesi zgjedhor në parti përmes Kongresit, ku rreth 400 koordinatorë administrative që po zgjidhen, do të jenë automatikisht delegatë në Kongres.