Vendimi


I kërkohet qeverisë të marrë vlerësimin e AK-së për ekskluzivitetin


depozite gazi karburantiAutoriteti i Konkurrencës (AK) kundërshton mënyrën e dhënies me koncesion nga qeveria të Porto Romanos. AK vlerëson se procedura për dhënien e koncesionit të formës BOT (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit) të një porti në Porto-Romano, Durrës, është në shkelje të ligjit pasi nuk është zbatuar detyrimi ligjor nga Ministria e Transportit dhe Këshilli i Ministrave për të dërguar dhe marrë vlerësimin e Autoritetit Konkurrencës mbi këtë projekt-akt që vendos të drejta ekskluzive të veçanta, në një zonë të caktuar, për ndërmarrjen së cilës i është dhënë ky koncesion. Pas një shqyrtimi të posaçëm, duke marrë shkas nga ky rast, Bordi i Komisionarëve i AK vendosi ti kërkojë Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve që të zbatojë ligjin Për mbrojtjen e konkurrencës, duke kërkuar vlerësimin ligjor të AK-së për çdo projekt-akt normativ që potencialisht mund të sjellë kufizime të konkurrencës në tregje. Vendimi me titull Për domosdoshmërinë e marrjes së vlerësimit paraprak të Autoritetit të Konkurrencës në rastet e dhënies së të drejtave ekskluzive ose të veçanta nëpërmjet kontratave koncesionare, është bërë publik, pasi ishte dërguar më parë tek institucionet. Sipas AK-së, ky ligj zbatohet për ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet që ju janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive ose të veçanta. Ligji parashikon detyrimin për organet qendrore dhe vendore që të kërkojnë vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt-akt që ka të bëjë ndër të tjera me vendosjen e të drejtave ekskluzive për ndërmarrje ose për produkte të caktuara. Komisioni i Ekonomisë dhe i Financave, në rezultatet e vlerësimit të veprimtarisë së AK-së, në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar zbatimin e detyrimit ligjor nga ana e institucioneve publike për marrjen e vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës si një instrument i domosdoshëm për rritjen e eficiencës së përdorimit të pasurisë publike. Më konkretisht, Rezoluta për veprimtarinë e AK-së për vitin 2014, i kërkonte organeve ekzekutive të të gjitha niveleve të bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës duke zbatuar detyrimin për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të AK-së në dhënien e miratimin e koncesioneve që japin të drejta ekskluzive, apo krijojnë kufizime sasiore. Porto Romano që ndodhet në veri të qytetit të Durrësit, do të kthehet në port karburantesh. Kuvendi ka miratuar dhënien me koncesion shoqërisë Porti MBM për 35 vjet për ndërtimin dhe shfrytëzimin e portit të hidrokarbureve. Sipas Ministrisë së Transporteve, investimi i kryer do të jetë 10.2 milionë dollarë në fillim të ndërtimit dhe në periudhën e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës. Arsyeja e realizimit të këtij investimi, sipas relacionit që shoqëronte këtë kontratë, ka të bëjë me një kufizim të kapaciteteve përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure që kushtëzohet nga thellësia e porteve ekzistuese. Ky investim do të rrisë mundësinë e operatorëve privatë për të realizuar import eksporte të nënprodukteve të naftës, por mund të krijojë edhe situatë monopoli.


Ky shkrim Konkurrenca: U shkel ligji për koncesionin e Porto Romanos u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.