Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Hans Piter Fridrih ka deklaruar para gazetarëve se propozimi i përbashkët mes Gjermanisë dhe Francës për vendosjen e një kontrolli kufitar në zonën “Shengen” tashmë i është dërguar për shqyrtim presidencës së Bashkimit Evropian. Sipas Fridrih disa shtete e kanë të pamundur të sigurojnë kufijtë e tyre të jashtëm dhe pikërisht për këtë arsye duhet një linjë e dytë kontrolli.

Kjo linjë kontrolli do të aktivizohet vetëm për 30 ditë. Me anë të këtij propozimi Franca dhe Gjermania duan të luftojnë kundër emigrimit të paligjshëm. Zona Shengen aktualisht përfshin 26 vende evropiane por edhe ato jo anëtare në Bashkimin Evropian si Zvicra dhe Islanda. Sipas marrëveshjes kontrollet kërkohen vetëm për udhëtarët të cilët kalojnë kufijtë e zonës “Shengen” me ato të vendeve jo anëtare. Sipas mediave të shkruara gjermane, propozimi do të diskutohet në një takim të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, dhe një amendim i mundshëm i marrëveshjes “Shengen” mund të hyjë në fuqi që në muajin qershor të këtij viti.