KORCË- Jeta e një vogëlushi 5-vjecar nga fshati Leminoti i Korcës ka kushtuar vetëm 8 mijë lekë për tre mjekët e spitalit të Korcës. Policia e këtij qyteti i ndaloi tre bluzat e bardha. Me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm, të 5-vjecarit Viktor Balliu i cili ishte pickuar nga gjarpri në banesë, por që vdiq shumë orë më vonë, gjatë transportimit për në Tiranë si shkak i neglizhencës dhe sorollatjeve të 3 mjekëve. Sot anestezisti Ilir Milo, reanimatori Julian Mato, infermieri Olgert Hoxhallari janë liruar nga policia pa asnjë masë, ndërsa prindërit e vogëlushit të pafajshëm në pamundësi financiare për të hapur cështjen në gjykatë kërkojnë ndihmën e institucioneve të drejtësisë.

Familja e vogëlushit që jeton në një banesë me qira, me katër mure dhe cati gjysmë të rrëzuar kërkon që ngjarja të zbardhet dhe autorët të vendosen përballë ligjit. Në kohën e ngjarjes mjekët hodhën pretendime se shkak i vdekjes së fëmijës 5 vjec, ishte vonesa e dërgimit të tij në spitalin e Korcës, por kjo hidhet poshtë nga familjarët, pasi tregojnë që fëmija është dërguar në spital që në momentin e parë, por qenë zvarritjet e mjekëve dhe dërgimi i tij drejt Tiranës me 8 orë rrugë, ato që sollën humbjen e jetës së vogëlushit.

Fëmija u iku nga duart vetëm për 8 mijë lekë, ndërsa situata të tilla me bluzat e bardha përsëriten cdo ditë, në cdo cep të Shqipërisë. Apeli i familjes është i qartë, kërkojnë që cështja të hapet dhe fajtorët të vihen përpara drejtësisë.
(m.a/News24/BalkanWeb)