koreoKoreolabos është projekti i cili ka si synim afrimin e koreografëve të rinj dhe nxitjen e punës së tyre krijuese. Si rrjedhojë kjo është hera e tretë që TKOB hap dyert për ta, për të sjellë krijimet e tyre në skenën e madhe. Këtë herë janë katër krijime të reja koreografike të stilit kontemporan, neoklasik por edhe kontemporan-folk të cilat do të ngjiten në skenën e TKOB këtë fundjavë më 4 dhe 5 korrik.

Share (shpërndaje), një koreografi nga Julind Dervishi sjell teknologjinë në valët. Në këtë kohë teknologjie, ne shpërndajmë idetë, dëshirat, urrejtjet, fundja edhe karakterin duke i vendosur maskën e ngjyrimit, jetës reale. Të gjithë ne na bashkon fjala, veshje mishi, por të gjithëve na ndan dhe na veçon maska e ngjyrimi. Interpretojnë Julind Dervishi, Livia Lara, Ledia Sulaj, Loreta Bala, Ermira Behari, Kristi Dushmani.

Burrneshat me koreografi të Jera Libojovës vjen si pjesë që sjell konceptin e transformimit dhe të përplasjes mes dëshirës dhe detyrës me të cilën përballet shpesh qenia njerëzore. Forca, ritmi, ngjyrat, tingujt, lëvizjet, trupi i zhveshur, i cili bëhet gati të marrë një forme te re përcjellin këtë vendim kaq të rëndësishëm që një individ merr dhe duhet ta mbajë për të gjithë jetën, pa kthim mbrapa. Është një ritual i ndryshimit të drejtimit njerëzor, i cili i shtyrë nga rrethana të ndryshme shkakton revoltë të brendshme. Interpretojnë Elda Logo, Ajkana Topalli, Jera Libohova.

Pa peshë, me koreografi nga Isida Mollaymeri, sjell luftën e natyrës mes së mirës dhe së keqes.

Aq sa të rëndësishëm jemi në jetë, në tokë, për njerëzimin apo për njëri-tjetrin, aq pa peshë jemi në madhështinë e malit, oqeanit apo universit, nën valët e detit dhe madhështinë e tij, qeniet njerëzore humbasin peshën gjininë dhe formën e tyre.

Interpretojnë Isida Mollaymeri, Alisa Gjoni, Erald Zela, Krist Dalipi

Il volo - Grande Amore është pjesa e katërt që përmbyll këtë edicion të Koreolabos vjen si një duet kushtuar dashurisë nga Adela Muçollari.

Jeta është një piano dhe ti je pianisti i saj, kështu që përpiqu të krijosh melodinë më të bukur të jetës tënde. Interpretojnë Anxhelo Muçollari, Adela Muçollari