Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një vizitë
zyrtare në Singapor, ku ka dorëzuar kërkesën për njohjen e pavarësisë së
Kosovës.
Hoxhaj është takuar me homologun Kasiviswanathan Shanmugam, të cilin e ka njohur me ecurinë e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë dhe i ka shprehur interesin për zhvillim të partneritetit dypalësh.
"Shtetet e vogla si Singapori dhe Kosova duhet të mbështesin njëra-tjetrën. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konfirmuar legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë, asnjë shtet nuk ka arsye që të zvarrisë njohjen e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, asnjë shtet nuk ka arsye që të zvarrisë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Enver Hoxhaj
Ministër i Jashtëm i Kosovës Nga ana e tij, kryediplomati i Singaporit ka thënë se vendi i tij e vlerëson shtetin e Kosovës dhe ka një qëndrim pozitiv kundrejt pavarësisë së tij.
“Singapori është i gatshëm që të shkëmbejë përvojat në fusha të ndryshme me Republikën e Kosovës, sidomos në diplomaci, arsim, urbanistikë, etj”, ka thënë Shanmugam.
Dy ministrat kanë rënë dakord që shumë shpejt të fillojë shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet Kosovës dhe Singaporit në këto fusha.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri po zhvillon një vizitë analoge në Doha të Katarit, ku në takimet me zyrtarët vendas po lobon për mbështetje në proçesin e njohjeve.