Tre politikanë kosovarë, të akuzuar për krime lufte, kaluan dje në ilegalitet, pasi u zhdukën nga spitali


arratisja e lushtakutTre politikanë, të akuzuar për krime lufte në Kosovë, kaluan efektivisht dje në ilegalitet, pasi u arratisën nga spitali i Prishtinës ku kishin qëndruar për disa kohë për mjekime.


Sahit Jashari, Ismet Haxha dhe Sami Lushtaku janë arratisur. Kështu jam informuar nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë. Tani ata kalojnë në procedurë të policisë, tha Shemsi Hajrizi, drejtor i sistemit të burgjeve për gazetën Jeta në Kosovë.


Arratisja e tyre erdhi në ditën kur EULEX-i vendosi që ti transferojë ata në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut. Para arratisjes, shërbimi i burgjeve ishte ankuar, se vendimi i gjykatës së EULEX-it për transferimin e të dyshuarve në një burg në Mitrovicën e Veriut, krijonte pasiguri për jetën e tyre, pasi në të njëjtin burg mbahen edhe disa të akuzuar serbë për krime lufte.


Lushtaku, kryebashkiak i qytezës së Skënderajt dhe dy burrat e tjerë të arratisur, janë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të njohur si Grupi i Drenicës. Ata akuzohen për torturim dhe keqtrajtim të të burgosurve në një bazë të UÇK-së në Likovc, në vitin 1998.


Shumica e të arrestuarve në lidhje me këto akuza nga grupi i Drenicës, vijon të jetë në burg. Disa prej tyre akuzohen përveç krimeve të luftës, edhe për korrupsion në periudhën e pasluftës, mitëmarrje, abuzim me postin dhe dhunim të procedurave të prokurimit publik.


Disa nga të dyshuarit e Grupit të Drenicës kanë mbajtur poste të larta publike në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës të Kryeministrit Hashim Thaçi. Këtu përfshihet ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, dhe kryebashkiaku i Skënderajt, Sami Lushtaku.


Grupi është mbajtur në paraburgim që nga maji i vitit të kaluar, përgjithësisht në Burgun e Dubravës pranë Pejës.


Unaza e hekurt


Policia e Kosovës raportohet se dje pasdreke ka nisur operacionin Unaza e hekurt, i cili nënkupton ngritjen e një numri postblloqesh në rrugët dalëse të Prishtinës dhe në autostradën drejt Shqipërisë, me synimin për të kapur të arratisurit. Para spitalit nga u krye arratisja, familjarët dhe mbështetësit e të akuzuarve protestuan kundër dërgimit të tyre në burgun në Mitrovicën e Veriut, burg që praktikisht është në anën e serbëve.


Një gjykatë lëshoi urdhërarrestet për tre të arratisurit, ndërsa tre të akuzuar të tjerë nga Grupi i Drenicës raportohet se kanë shpallur grevë urie kundër vendimit të EULEX-it për transferim në burgun e Mitrovicës.


Ky shkrim Kosovë, arratiset Grupi i Drenicës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.