Partia Demokratike e Kosovës, fituese zyrtare e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, ka arritur marrëveshje për ndërtimin e koalicionit qeverisës, e cila pritet të formalizohet këtë fundjavë. Burime të larta brenda partisë fituese, i kanë thënë radio-televizionit të Kosovës se është arritur marrëveshja për koalicion ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, me pjesëmarrjen edhe të Listës Ibrahim Rugova si dhe minoriteteve.





Sipas kësaj matematike, koalicioni do të ketë mbështetjen e 65
deputeteve, pasi PDK-ja ka 34 deputetë, AKR-ja 8, minoritetet 22
deputetë (pa partinë e Rada Trajkoviqit), si dhe një deputet nga Lista
Ibrahim Rugova.



Sipas RTK-së, në orët e pasdites kryeministri Hashim Thaçi ka pasur një
takim me grupin parlamentar të PDK-së, ku ka njoftuar për zhvillimet e
fundit politike dhe arritjen e marrëveshjes për Qeverinë e re.



Kryeministri në detyrë Hashim Thaci mësohet se ka pasur takime përgjatë
gjithë javës me përfaqësues të partive të përfaqësuara në parlamentin e
ri. Më herët, krijimi i qeverisë nuk dukej aspak i lehtë pasi
ndërkombëtarët ishin shprehur për një qeveri të qëndrueshme të përbërë
nga tri parti shqiptare dhe minoritetet.



Kjo skemë dukej e parealizueshme pas refuzimit të koalicionit nga AAK,
LDK dhe lëvizja Vetëvendosja. Por, duket se vendi e tyre e ka zënë Lista
Ibrahim Rugova, ndërsa ende nuk mësohet nëse Thaci ka vendosur të
plotësojë kushtin e AKR-së për bashkëqeverisje, dhënien e postit të
presidentit drejtuesit të saj, Behxhet Pacollit.



Bul Salihu