Të hënën pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve në kosovë, nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Kreu aktual i qeverisë hashim Thaçi, ka deklaruar më herët se Qeveria do të formohet para ditës së pavarësisë. Pas kësaj, pritet që të nisin bisedimet zyrtare për formimin e koalicionit qeverisës.


Kandidati për kryeministër që doli fitues nga zgjedhjet, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi ka deklaruar se ka marrë një mandat të qartë në zgjedhje për të luajtur rolin e faktorit bashkues në vend, në cilësinë e kryeministrit të ri të Kosovës dhe jo atë të presidentit të vendit. Kjo javë sipas tij,do të sjellë edhe bisedimet me forcat e tjera politike për "shtetndërtim dhe konsolidim të institucioneve të vendit", në veçanti në krijimin e një qeverie të re, "shumëpërfshirëse dhe shumëetnike".


Thaçi tha se partia që ai udhëheq ka siguruar numrin e mjaftueshëm të deputetëve për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Partia që fitoi shumicën e votave PDK e kryeministrit në largim Hashim Thaçi doli e para edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe kreu i kësaj partie pritet që të marrë mandatin për fillimin e negociatave për formimin e koalicionit qeveritar. “PDK ka siguruar numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të krijuar Qeverinë e re dhe bisedimet zyrtare do të nisin të hënën- sqaroi ai duke mos dhënë detaje mbi formimin e koalicionit.


Nga burime jozyrtare, PDK do të zhvillojë bisedime dhe do ti dorëzojë ftesat të gjitha subjekteve politike, duke përfshirë edhe grupe deputetësh të partive të tjera që janë të gatshëm për bashkëqeverisje në mandatin e dytë të kryeministrit Hashim Thaçi. Sinjalet e para të plasuara në disa media bëjnë të ditur për një marrëveshje të mundshme për bashkëqeverisje me AAK-në dhe komunitetit, deri tani duke përjashtuar AKR, e cila ishte favorite për tu bërë pjesë e koalicioni.