Musa Ulqini

Ka nëntë muaj që Rama kërkon me këmbëngulje hapjen e të gjitha kutive nga ato të votimit e deri tek ato të mjerimit, por as që bën fjalë për hapjen e kutisë së tij të përgjegjësisë, për humbjen e PS në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai nuk ka folur asnjëherë, as në forumet e PS dhe as në publik, për përgjegjësinë e tij në mosmbajtjen e të vetmit premtim konkret elektoral, që u bëri shqiptarëve gjatë fushatës elektorale: mbrojtjen e votës së lirë. “Vota juaj do të numërohet siç do të hidhet në kutitë e votimit” - u premtoi Rama shqiptarëve në çdo skaj të vendit. Ky premtim elektoral mbështetej te garancitë që jep Kodi Elektoral, i cili u miratua me konsensus disa muaj përpara zgjedhjeve. Mekanizmi ligjor është i tillë që u garanton të dy forcave kryesore politike barazi, si në përfaqësim, ashtu edhe në vendim marrje, si në qendrat e votimit ku hidhet vota, ashtu edhe në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, ku kjo votë numërohet. Megjithatë pas shpalljes zyrtare të rezultateve të votimit, Rama fajësoi Berishën për humbjen e PS, i cili, sipas tij, grabiti votat e PS gjatë procesit të numërimit të tyre, duke kryer kështu një krim të vërtetë elektoral.

II.
Nëse analizojmë procesin konkret të numërimit të votave dhe garancitë ligjore të sanksionuara në Kodin Zgjedhor, bindemi që jo vetëm ishte i mundur të parandalohej çfarëdo lloj “krimi elektoral”, por ekzistonin të gjitha mundësitë ligjore që ky krim të bllokohej dhe të denoncohej publikisht që në fillesën e tij. Faktet e mëposhtme ligjore e mbështesin një pohim të tillë.
1. Votat e zgjedhjeve të 28 qershorit u numëruan në 66 mjedise publike, në qendra të mëdha urbane, me infrastrukturën përkatëse dhe jo si më parë në 5000 qendra votimi, të vendosura deri në cepat më të largët të vendit, shpesh pa infrastrukturën minimale zgjedhore, larg syve të mediave, vëzhguesve dhe publikut të gjerë. Mundësia e parandalimit të vjedhjes së votave gjatë numërimit në këto mjedise ishte shumë herë më e madhe se më parë, sepse ky proces zhvillohej në sytë e të gjithëve.
2. Për herë të parë, numërimi i votave monitorohej në mënyrë elektronike. Në çdo tavolinë numërimi ishin kamerat dixhitale, përmes të cilave, çdo fletë votimi u tregohej vëzhguesve në ekranet e mëdha, disa metra larg nga tavolinat e numërimit. Numëruesit e votave e dinin që puna e tyre monitorohej edhe në mënyrë elektronike dhe disketat e këtij monitorimi do t’i viheshin në dispozicion çdo partie politike dhe organeve të drejtësisë, po të ishte e nevojshme. Ky survejim elektronik i numërimit të votave ishte një mjet efikas i parandalimit të vjedhjes së votave, sa kohë që e dokumentonte atë.
3. Për herë të parë, publiku u informua on-line në kohë reale për rezultatet e numërimit të votave në çdo qendër votimi, nëpërmjet teknikës mbështetëse të instaluar në mjediset e KQZ. Në bazë të këtyre të dhënave, dy OJQ shqiptare, ECA dhe KRIIK- Albania, kryen llogaritjen paralele të rezultateve në të 66 VNV-të dhe i vendosën ato në faqen e internetit të ECA-së. Këto të dhëna u transmetuan non stop nga media elektronike. Shtabet elektorale të partive politike kishin mundësi të krahasonin në kohë reale rezultatet e numërimit të votave të çdo qendre votimi me rezultatin e pritshëm dhe të ndërhynin, përmes përfaqësuesve të tyre, kur publikoheshin të dhëna kondraverse, siç janë p.sh rezultatet me diferenca pa kuptim mes subjekteve politike.
4. Sipas Kodit Zgjedhor, në nivelin e dytë të administratës zgjedhore-në KZAZ, ku bëhet numërimi i votave, pozita dhe opozita kanë përfaqësim të njëjtë (jo si në KQZ, ku pozita ka një anëtar më shumë) dhe fuqi vendimmarrëse të barabartë. Përfaqësuesit e partive politike, pra edhe të PS, kishin mundësi ligjore të ndërhynin dhe të bllokonin procesin e numërimit në çdo rast, kur ata konstatonin edhe parregullsinë më të vogël, duke parandaluar kështu në kohë çdo lloj manipulimi të votave.
5. Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor caktuan rreth 400 vendnumërime të votave. Në çdo vendnumërim (tavolinë numërimi) votat numëroheshin nga katër numërues: një përfaqësues i PD, një përfaqësues i PS dhe dy anëtarë të tjerë nga partitë e koalicioneve që udhëhiqeshin nga PD dhe PS. Mesatarisht, sipas të dhënave të KQZ, PD dhe PS si dhe dy koalicionet respektive, angazhuan secili në procesin e numërimit të votave nga rreth 800 numërues. është krejt e qartë që PS i kishte të gjitha mundësitë, që nga 80 mijë anëtarë dhe qindra mijëra mbështetësit e saj të përzgjidhte 800 numërues të aftë të përballonin çdo lloj “krimi elektoral”.
6. Hartimin e listave të numëruesve të votave, Rama ua caktoi si përgjegjësi të drejtpërdrejtë kandidatëve për deputetë. çdo kandidat për deputet duhej të përzgjidhte mesatarisht jo më shumë se dhjetë anëtarë të grupeve të numërimit. Për shkak se kandidatët për deputetë ishin tejet të interesuar për të fituar, është e kuptueshme që kjo përzgjedhje ishte tejet cilësore, një garanci e padiskutueshme për të shmangur çfarëdolloj “krimi elektoral” gjatë numërimit të votave.
7. Emrat e numëruesve të votave u mbajtën të fshehtë nga partitë politike (edhe nga PS) dhe u bënë publike vetëm në momentin që filloi procesi i numërimit të votave. Të gjitha partitë nuk e respektuan pikën 1 të nenit 95 të Kodit Zgjedhor, që listat e numëruesve të dorëzoheshin në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor, dy ditë para ditës së votimit. Numëruesit e votave u njohën me njëri-tjetrin në momentin kur ra “gongu” për fillimin e numërimit të votave dhe nuk lëvizën për asnjë moment, deri sa përfundoi numërimi i kutisë së fundit. (Grupet e numërimit zëvendësoheshin vetëm pasi numëronin nga 10 kuti votimi). Në këto kushte, mundësia e korruptimit të numëruesve socialistë ishte në kufijtë e të pamundurës.
8. Siç theksuam më lart, grupet e numërimit të votave në çdo tavolinë numërimi kishin edhe nga një përfaqësues të dy koalicioneve që udhëhiqeshin njëri nga PS dhe tjetri nga PD. Pra, ishte e mundur që numëruesi i dytë, që i përkiste partive të koalicionit të majtë, ta parandalonte “krimin elektoral”, duke bllokuar procesin që në manipulimin e votës së parë.
9. Në çdo tavolinë numërimi, PS kishte të mandatuar edhe një vëzhgues, i cili kishte të drejtë të vëzhgonte pa pengesë të gjithë procesin e numërimit të votave. Ai kishte të drejtë gjithashtu të bllokonte menjëherë procesin e numërimit të votimit, në qoftë se konstatonte qoftë edhe parregullsinë më të vogël. Pra vetëm me vëzhguesit e saj pranë çdo tavoline numërimi, PS kishte mundësi të parandalonte në kohë çdo “krim elektoral”.
10. Sipas Kodit Zgjedhor, kandidatët për deputetë lejohen të ndjekin nga afër procesin e numërimit të votave. Në çdo tavolinë kishte mesatarisht dy kandidatë për deputetë të opozitës, të cilët kishin interes të dorës së parë të mos lejonin asnjë parregullsi gjatë numërimit të votave. Pra vetëm me kandidatët për deputetë pranë çdo tavoline, numërimi PS kishte mundësi reale të parandalonte në kohë çdo lloj “krimi elektoral”.
11. Puna e çdo grupi numërimi monitorohej drejtpërsëdrejti edhe nga komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, i cili ishte përgjegjës ligjërisht për mbarëvajtjen e gjithë procesit në secilën prej 66 ZAZ-ve. PS kishte në çdo komision katër përfaqësues të saj, të cilët luanin një rol të konsiderueshëm për të parandaluar manipulimin e votave.
12. Siç theksohet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODHIR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 28 qershorit, 395 vëzhguesit e huaj e ndoqën procesin e numërimit të votave në të 66 komisionet e ZAZ-ve. Në raport për këtë proces theksohet tekstualisht: “Numërimi i kutive u vlerësua si i keq ose shumë i keq, në 22, nga 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV). Vëzhguesit vunë re mangësi procedurale, të cilat dukej se ishin pjesërisht pasojë e trajnimit dhe udhëzimeve të pamjaftueshme...Nuk pati asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve dhe përveç bllokimit të numërimit në disa prej VNV-ve, nuk pati as ndonjë parregullsi të madhe në VNV”. Pra siç shihet qartë në konkluzionet e raportit të arbitrit ndërkombëtar, as që bëhet fjalë për “krim elektoral”.
13. Gjithashtu, siç theksohet në raportin e OSBE/ODHIR-it, zgjedhjet e 28 qershorit u vëzhguan nga mbi 6000 vëzhgues jopartiakë vendas nga 16 OJQ shqiptare. Ky vëzhgim ishte i përqendruar, veçanërisht në vend numërimin e votave. Sipas nenit 7 të Kodit Zgjedhor, vëzhguesit jo vetëm që vëzhgojnë pa pengesë të gjithë aspektet e procesit të numërimit të votave, por ata kanë të drejtë të paraqesin vërejtje me shkrim para komisioneve të zgjedhjeve për çdo lloj parregullsie që vërejnë, duke kontribuar kështu në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në raportin e publikuar më 16 Gusht 2009 nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, procesi i numërimit të votave vlerësohet tejet pozitiv.
14. Procesi i numërimit të votave u ndoq drejtpërsëdrejti nga një numër shumë i madh i mediave. Një numër i konsiderueshëm i televizioneve dhe radiove lokale dhe kombëtare transmetuan on- line këtë proces numërimi ose kronika të herëpashershme. Në asnjë rast nuk u publikua asnjë e dhënë për vjedhje, manipulim të votave apo “krim elektoral” të konstatuar gjatë procesit të numërimit.

III.
Analiza e mësipërme shtron disa pyetje, të cilat nuk mund të anashkalohen thjesht dhe vetëm me retorikë politike.
Së pari, si ka mundësi që “krimi elektoral”, tjetërsimi i votës së shqiptarëve, ndodhi në sy të të gjithëve dhe nuk u konstatua nga askush: as nga numëruesit socialistë, as nga numëruesit e partive të koalicionit të majtë, as nga vëzhguesit e PS-së e të forcave të tjera politike në opozitë me PD-në, as nga komisionerët e PS-së në KZAZ, as nga kandidatët për deputetë të PS-së e të koalicionit të majtë, as nga vëzhguesit ndërkombëtarë, as nga vëzhguesit e shoqërisë civile dhe as nga mediat e shumta të pranishme, që ndiqnin drejtpërdrejtë procesin e numërimit të votave në të gjitha vendnumërimet e tyre?
Së dyti, si ka mundësi që ky “krim elektoral” nuk u dokumentua në asnjë prej dokumenteve zgjedhorë, nga asnjë prej aktorëve të pranishëm në proces? Kujtoj këtu se jo vetëm numëruesit, por edhe vëzhguesit e të gjitha llojeve kishin të drejtë të shënonin në dokumentet zgjedhore parregullsitë që ata konstatonin gjatë procesit të numërimit të votave.
Së treti, si ka mundësi që ky “krim elektoral” u certifikua nga numëruesit e PS-së dhe të partive të koalicionit të saj, nga komisionerët e PS-së në KZAZ dhe KQZ? Procesverbalet dhe tabelat përmbledhëse të rezultateve të votimit u firmosën nga të gjithë përfaqësuesit e PS-së dhe koalicionit të saj?
Së katërti, si ka mundësi që Rama nuk arriti të publikojë deri më sot asnjë provë konkrete që të faktojë përpara shqiptarëve e ndërkombëtarëve atë që ai e quan “grabitje të votës” e “krim elektoral”. është rasti të kujtoj që raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 26 majit 2006 ishte tejet kritik për qeverinë edhe për shkak se PS-ja arriti që në kohë reale të publikonte dëshmi të shumta tronditëse dhe të faktuara të manipulimit të zgjedhjeve. Ndërkohë që raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, jo vetëm që nuk flet për maskaradë zgjedhore e krim elektoral, por thekson se këto ishin zgjedhjet më të mira të realizuara deri më sot në Shqipëri.
Si përfundim, mund të themi se nuk është as e drejtë, as e vërtetë dhe as e ndershme që për humbjen e PS-së të fajësohen në bllok numëruesit socialistë të votave. E vërteta e humbjes së PS-së është përtej komisionerëve socialistë. E vërteta është se Edi Rama nuk arriti të ngjallte besimin e duhur te zgjedhësit, të krijonte klimën e nevojshme pro fitores së PS-së, të motivonte njerëzit që të votonin në shumicën e kërkuar alternativën e tij. Kjo e vërtetë duhet artikuluar qartë dhe me kurajë, pavarësisht emocioneve negative që shkakton humbja dhe kostos individuale politike.