Njësitë kanë hetuar edhe dy prokurorë, 3 gjyqtarë dhe 4 avokatë

Një vit pasi njësitë e përbashkëta hetimore janë shtuar edhe në gjashtë qytete të Shqipërisë, drejtuesi i Task Forcës në akuzën qendrore, Arben Kraja, tha se janë shtuar dosjet e korrupsionit. “Në krahasim me vitin e kaluar mund të them se janë shtuar 50 për qind dosjet e korrupsionit nga zyrtarët qendrorë dhe vendorë, si dhe abuzimet nga institucionet e pavarura”, vijoi Kraja, duke bërë bilancet provizore. Ai shtoi se ka pasur rritje të denoncimeve nga doganat, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë nga Drejtoria e Tatimeve. Marrëdhëniet me policinë kanë qenë të mira, sipas Krajës, ndërsa muajit e fundit ka pasur një fluks të madh dosjesh të referuara në këto njësi. Lidhur me të ashtuquajturën korrupsioni në drejtësi, krerët e njësive antikorrupsion deklaruan se ka pasur dy prokurorë të marrë nën hetim, të cilët edhe janë gjykuar. Sipas Arben Krajës, tre gjyqtarë janë marrë në ndjekje penale, katër avokatë janë proceduar penalisht, ndërsa dy prej të cilëve janë dënuar për ndikim të paligjshëm. Nën hetim janë marrë edhe disa oficerë të policisë gjyqësore.








#