Intervistoi: Altin B. Kodra



Sonte në mbrëmje, në orën 18:30, me orën angleze (19:30, me orën shqiptare), Kreshnik Qato do të zhvillojë betejën e radhës në ring, në një ndeshje me 10 raunde, të e vlefshme për titullin "Southern Area Super Middleweight Title" (ose për titullin e Anglisë Jugore). "Kam 8 javë që kam filluar një përgatitje shumë intensive për t'u rezistuar 10 raundeve që do të bëj atë natë, - pohon Qato, në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetën "Standard" në prag të ndeshjes së sotme. - Kundërshtari është boksier force dhe grushtesh mbajtës, por përgatitja që unë po bëj me trajnerët e mi, Luixhi Leo dhe Fill Pirson, po përqendrohet më shumë nga ana teknike si dhe rezistencën ndaj 10 raundeve."
Ndërkaq, përsa i përket kundërshtarit, Qato sqaron: "Mund të them që e njoh shumë mire, sepse është i njëjti kundërshtar me të cilin kam boksuar në ndeshjen e fundit në "Alexandra Palace" dhe, të them të drejtën, është kundërshtar shumë i fortë." Duke u premtuar bashkatdhetarëve të tij, atyre që do ta ndjekin në "Goresbrook Leisure Centre", në Dagenhem të Londrës.", por edhe atyre që do ta ndjekin nëpërmjet medias në Shqipëri, Qato shpreh besimin e tij për të ardhmen e sportit të ringut, por, ky sport ka nevojë për mbështetje. "Boksi për mendimin tim ka shumë të ardhme në Shqipëri, por vetëm në qoftë se do të stimulohet dhe ndihmohet që të zhvillohet nga biznesmenë, si në rastin tim konkret me z. Ylli Ndroqi", - pohon Qato.


- Kreshnik, më 8 dhjetor 2006 keni ndeshjen e radhës, në "Alexandra Palace" të Londrës, vendin ku keni fituar betejën e fundit ndaj Simeon Kover. A është bërë i ditur emri i kundërshtarit tuaj për këtë ndeshje dhe sa e njihni ju atë?
- Ndeshja e radhës do të bëhet në "Goresbrook Leisure Centre", në Dagenhem të Londrës." Kurse përsa i përket kundërshtarit mund të them që e njoh shumë mire, sepse është i njëjti kundërshtar me të cilin kam boksuar në ndeshjen e fundit në "Alexandra Palace" dhe, të them të drejtën, është kundërshtar shumë i fortë. Ndeshja do të bëhet me 10 raunde dhe është e vlefshme për titullin "Southern Area Super Middleweight Title" (ose për titullin e Anglisë Jugore).
- Si po përgatitet Qato për "matsh"-in e tij të 20-të në ring?
- Të them të drejtën, kam 8 javë që kam filluar një përgatitje shumë intensive për t'u rezistuar 10 raundeve që do të bëj atë natë. Kundërshtari është boksier force dhe grushtesh mbajtës, por përgatitja që unë po bëj me trajnerët e mi, Luixhi Leo dhe Fill Pirson, po përqendrohet më shumë nga ana teknike si dhe rezistencën ndaj 10 raundeve.
- Cfarë duhet të presin shqiptarët nga Kreshnik Qato më 8 dhjetor 2006?
- Vetëm fitore, dhe për ata që do ta ndjekin "live" në Londër: krenari që jemi shqiptarë.
- A mendon Qato se boksi është një sport me të ardhme në Shqipëri dhe se do të kemi më shumë boksierë të suksesshëm se Qato dhe Krasniqi?
- Boksi për mendimin tim ka shumë të ardhme në Shqipëri, por vetëm në qoftë se do të stimulohet dhe ndihmohet që të zhvillohet nga biznesmenë, si në rastin tim konkret me z. Ylli Ndroqi.
- Sa i ndjek Qato zhvillimet sportive në Shqipëri dhe në c'mënyrë?
- Jam me të vërtetë shumë i interesuar, por fatkeqësisht, nuk i ndjek dot nga afër, por gjatë kohës sime të lirë, mundohem që të marr informacione nga interneti, si dhe nga televizioni.


Curriculum Vitae

Detaje personale:

Emri: Kreshnik
Mbiemri: Qato
Vendlindja: Durrës
Datëlindja: 13/08/1978
Pesha: 76.2 kg
Gjatësia: 1.79 cm

Jashtë sportit:
Shenja e horoskopit: Luani
Koha e lirë: Peshkimi
Përkushtimi: Familja
Ushqimi i preferuar: Proteina të gjalla