Edmond Arizaj Realisht nuk është se ndonjëherë në Shqipëri e ka pasur kokën ulur. Por është shfaqur shumë me ngjyrat e tjera të tij (vjedhje, abuzime, mashtrime, korruptime), ndërsa prej vitesh e kishim kaluar në kujtesë (harresë) ngjyrën e zezë të krimit, vrasjet dhe plagosjet  Vetëm në këta dy muaj, mund të numërohen dhjetëra të tillë. Me emra të njohur e të panjohur, krimi  nuk po di të ndalet, madje as të mendojë dy herë. Në jo pak raste, mediat raportojnë për episode fare banale, të cilat “zgjidhen” nëpërmjet armëve. Gjaknxehtësi, mbrojtje e nderit, sharje nga partia, tradhti, prishje pazaresh, janë vetëm pak nga arsyet e shumta që jepen. Por që të gjitha mund t’I përmbledhësh vetëm në një logjikë të thjeshtë, krimi nuk ka më frikë nga shteti. Dhe kjo është vërtet e frikshme. Aq e frikshme, kur çdo ditë të duhet të mendosh se në lokalin ku je ulur me familjen tënde, mund të zhvillohet shumë shpejt “një larje hesapesh” dhe plumbat kush e di se ku përfundojnë. Aq e frikshme sa të mendosh se mund të gjendesh në kohën e gabuar në vendin e gabuar, teksa hidhet një makinë në erë për “prishje pazaresh”. Aq e frikshme sa të gjendesh në mes të ditës midis dy gjaknxehtëve që luajnë “sherifësh”, apo gabimisht të bëhesh viktima rastësore e sedrës së thyer të një burri. Për të mos folur më pas për vjedhjet me armë, rrëmbimet që përfundojnë në mënyrë të zezë, e për emigrantë që zhduken sapo kthehen në Atdhe. (Dhe nuk po i përmendim, vetëvrasjet, apo vrasjet brenda shtëpisë). Një llavë e zezë krimi që ka përfshirë vendin tonë të vogël, por me gjaknxehtësi, sedër dhe namuz të madh. Nuk është e thjeshtë të vësh dorën mbi fajtorin e dytë, atë që nuk bën dot zap fajtorin e parë, shtetin. Policët shqiptarë mund të konsiderohen pa frikë si heronj. Me ca rroga qesharake, me një mbrojtje shtetërore akoma më qesharake, ata çdo ditë e kanë “qyl”, pse çdo ditë janë të rrethuar, të kërcënuar e të rrezikuar. Patjetër që kjo është detyra e tyre dhe e kanë marrë parasysh, derisa kanë zgjedhur profesionin e mbrojtësit të ligjit, por edhe ligji duhet t’I mbrojë ca më shumë se mua dhe ty. Madje hero mund të quhet edhe ai polici rrugor atje tej, që disa shkruajtës e tallin, madje edhe e shajnë ndonjëherë, pse e ndalon në rrugë. Ai polici që akuzohet tash e parë për marrje ryshfeti në mes të rrugës, por që kurrë nuk i qahet halli, kur përplaset me fytyrën firmato të krimit, që i kërcënohet nga xhami gjysmë i hapur i makinës…Në këtë shpërthim të papërmbajtur të krimit, në këtë kryengritje kriminale, ka vetëm një pyetje nga qytetarët paqësorë, nga ata që nuk e shohin armën si zgjidhje, por organet e ligjit, nga ata që duan të jetojnë të qetë rutinën, ku është shteti?Dhe nga faqet e mesit të gazetave, atje ku jepet me detaje krimi i radhës dhe në krah, fytyra e viktimës së radhës, duhet të kalosh në faqet e para. Aty ku politika është ngërthyer kaq keq, sa nuk ka Asamble Evropiane që ta zërë me dorë. Shteti është i zënë me politikën. Intervista pa fund, deklarata pa kokë, negociata, mitingje, antimitingje, fronte, koalicione, 4 marsi, 28 qershori, deputetë, për pak deputetë, gjysmë deputetë, prag-deputetë, tradhtarë, besnikë, qëndrestarë, kuti, vota, komisionerë, gjykata, viza, Evropë, Amerikë, analistë, pacifistë, globalistë, terroristë, dumbabistë, fashistë, komunistë, socialistë, lsistë, demokratë, president, Parlament… Të gjithë janë përfshirë në një vorbull pa fund, nga e cila s’po dinë të dalin. E në këtë mishmash politik të shtetit, krimi hedh valle. Krimi i organizuar dhe ai i rastit, krimineli i regjur dhe ai rishtar. Të gjithë kanë gjetur kohën e përshtatshme, me mjegull dhe me lagështirë. Të gjithë nxitojnë të lajnë hesapet e vjetra, apo inatet e ditës. E në nxitim e sipër, bashkë me të ashtuquajturin fajtor, ikën dhe i pafajshmi pa fat. Të tjerë të pafajshëm, struken e mblidhen që të jenë sa më të padukshëm, se mos kush e di, diku mund të kenë shkelur në kallo dikë, mund ta kenë ofenduar, dikujt mund të mos ia kenë bërë nderin. Dhe kur shteti nuk e ka mendjen, mendja e zezë punon për hakmarrjen. Duke ndjellë frikë dhe panik te qytetarët, duke i bërë ata mosbesues e të demoralizuar. Për këta qytetarë, që janë shumica, që janë votues e taksapagues, që janë themeli i ecjes së vendit, shteti, të gjitha anët e shtetit, duhet të reflektojnë, jo një çast, por ditë e muaj me radhë. Krimi e ka vështirë të ngrejë kokën, por më vështirë është t’ia ulësh atë.