Universiteti “Kristal” do të ofrojë shumë shpejt diploma sipas standardeve evropiane në fakultetin e infermierisë. “Pas nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit midis rektoratit të Universitetit të Sienës dhe rektoratit të Universitetit “Kristal”, Fakulteti Infermierisë në U.K është në rrugën e mbarë për njehsimin e planit dhe programit mësimor me Universitetin e Sienës”, bëjnë me dije drejtuesit e këtij universiteti. Filiale mbështetëse të këtij fakulteti janë çelur në shumë qytete kryesore të vendit dhe studentët e parë tashmë kanë marrë  diplomat falë kujdesit e angazhimit me këtë punë të Ministrisë së Shëndetësisë e asaj të Arsimit e Shkencës. “Cilësia e “prodhimit” të kësaj kompanie ka ardhur duke u rritur nëpërmjet vlerave intelektuale, që janë të angazhuar në fushën akademike dhe në Këshillin e Fakultetit”, sqarojnë drejtuesit. Sipas tyre, vlerat e këtij fakulteti pasqyrohen qartë përmes botimeve të Universitetit “Kristal”, siç është rasti i daljes së numrit të parë të revistës “Medicus Kristal”, ku i kushtohet tërësisht përvojës së punës kërkimore, pedagogjike e shkencore të Fakultetit të Infermierisë. Një botim serioz e cilësor që synon e guxon ide të reja, përvojë e programe konkrete afatshkurtra e afatgjata. Kjo revistë plotëson dhe një vakum në botime të këtij lloji në Shqipëri.