—-Nga Dorina Bilbili—-

Tiranë- Universiteti Kristal ka paditur në gjykatë qeverinë shqiptare duke kërkuar shfuqizimin e plotë të vendimit për pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së tij.

Çështja që mban numrin 14184, është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës më 29.06.2012 ku shoqëria Kristal sh.p.k padit Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë me objekt: Shfuqizimi tërësisht i vendimit nr 354 datë 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave për pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universatare jo publike Universiteti Kristal.

Duke këruar që të pezullohet zbatimi i këtij akti deri në përfundim të gjykimit. Dosja tashmë është në gjykim prej 21 ditësh dhe seanca e parë është caktuar të mbahet më 19.07.2012, ora 12:30 në Gjykatën e Shkallës ë Parë në Tiranë me gjyqatar Julian Haxhiun.

Licenca e Universitetit privat Kristal u pezullua me 23 Maj të këtij viti me urdhër të Këshillit të Ministrave për të paktën 1 vit. Lajmi u bë i ditur nga vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila përmes një konferencë shtypi njoftoi detajet e vendimit.

Kristal gjatë periudhës së pezullimit nuk do të pranojë studentë në asnjë program që ofron. Periudha zgjat një vit, që është data e publikimit në fletoren zyrtare. Kristal do të marrë masat e duhura për vijimin dhe përfundimin e programe normale të tyre. MASH inspektim periodik çdo tre muaj në këtë institucion, në përputhje me standartet cilesorë. Kristal do ti nënshtrohet akreditimit sipas legjislacionit në fuqi. Në varësi të rezultatit të akreditimit MASH propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë- tha drejtoresha e Arsimit të Lartë, Edlira Late.

Duke shtuar se studentët aktualë që studiojnë tek ‘Kristal’ do të përmbyllin studimet akademike, teska gjatë vitit 2012-2013 nuk do të ketë regjistrime të reja.

Pas skandalit me diplomën e djalit të ish-kreut të Lega Nord, i cili nuk dinte shqip dhe skishte shkelur kurrë në Shqipëri por posedonte një diplomë të nivelit të parë të lëshuar nga ‘Kristal’, një hetim nisi nga prokuroria dhe shoqëria civile ngriti zërin për cilësinë e diplomave.