19/04/2010 Prokuroria mbyll hetimet për Muhamed Abdullah Al Albanin. Mesazhet për Xhihadin
Thirrjet terroriste që çuan në ndalimin e tij dhe ndërhyrja në kodet e institucioneve
DURRES- Hoxha i fshatit Rrashbull, që akuzohet për thirrje terroriste, jo vetëm që e ka kryer këtë gjë, por gjatë hetimeve dhe këqyrjeve të rreth 600 CD e disa kompjuterëve, Prokuroria ka konstatuar se ai përdorte disa kode të institucioneve të veçantë si, Kryeministria dhe policia e shtetit. Nëpërmjet këtyre kodeve dhe falë aftësive kompjuterike, i pandehuri Artan Kristo arrinte të hynte në strukturën e brendshme të informacionit të këtyre institucioneve, nga ku merrte të dhëna mbi urdhrat e brendshëm, që me ligj konsiderohen si sekretë. Mendohet se këto informacione kalonin në rrjetin Siri-Iran, por përfshihen edhe disa shtete të tjera. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Durrësit, të cilët për gjashtë muaj hetime kanë arritur të provojnë akuzat për nxitje të terrorizmit ndaj shtetasit Artan Kristo, i njohur me emrin fetar Muhamed Abdullah Al Albani. Aktualisht dosja në ngarkim të tij, i është dërguar për shqyrtim gjyqësor gjykatës së rrethit. Mbi Kriston Prokuroria ka ngritur dy akuza, ku veç asaj për “Nxitje, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, në procedimin penal është shtuar edhe akuza e “përdorimit të kodeve të institucioneve të rëndësisë së veçantë”. Në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurori Edmond Kaloshi, ky i fundit ka renditur një sërë provash ku i pandehuri Artan Kristo, shfaqet në disa video duke folur për luftën e shenjtë, slogan ky që përdoret nga organizata terroriste “Al Kaeda”. Në videot dhe disa prej 600 CD, të sekuestruara nga Prokuroria, Kristo thotë: “...ka pasur ka dhe do të ketë Xhihad, i cili është obligim dhe detyrim për myslimanët, deri ditën e gjykimit...;...në Xhihad shkohet për të luftuar e për të vrarë qafirët, që janë bërë pengesë për vendosjen e shtetit islam, drejtësisë, pra duhet të kesh me se të vrasësh...; normalisht ne pranojmë edhe të vritemi sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanin, por jo vetëm të vritemi, por edhe të vrasim...; Ne jemi pro Xhihadit, lutemi që të vijë ajo ditë që të na mundësohet ta ndihmojmë islamin, ta bëjmë Xhihadin me atë të fjalës, forcës së krahut dhe bombës...Por duhet të përgatitemi sa më shumë që të kemi mundësi...”. Ky është një material që komprometon pozitën e të pandehurit Artan Kristo, ndërkohë Prokuroria ka arritur të transkriptojë edhe disa biseda të tjera, ku i pandehuri shfaqet duke pohuar se lufta e Jihadit, nuk kryhet vetëm me automatikë dhe raketa, por mjafton të shtypësh një buton të vetëm, ia ke arritur qëllimit. Sipas akuzës, thirrjet për nxitjen e terrorizmit, publikoheshin kryesisht në faqet e internetit si www.albselefet.net, www.forum.islamik.com, www.udhezimedhedrita.net, por edhe në disa website të tjera. Në dosjen e Prokurorisë janë administruar një sërë raporte ku janë survejuar për disa kohë lëvizjet e të pandehurit Kristo. Fillimisht ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës në banesën e tij në fshatin Rashbull, dhe më pas çështja kaloi në Durrës, për shkak të mos kompetencës ligjore. Vendimin e arrestimit Artan Kristo e apeloi disa herë në gjykatë, por kjo e fundit vendosi të lerë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg”.
Dëshmia e Artan Kristos gjatë fazës hetimore dhënë në Prokurori
“Më provokuan, në internet jemi të lirë të flasim”
Artan Kristo, njeriu kryesor që dyshohet nga strukturat e hetimit se ka hedhur slogane terroriste në disa faqe interneti, gjatë dhënies së deklarimeve ka pohuar në mënyrë të prerë se gjatë jetës së tij, nuk ka kryer asnjë aktivitet me natyrë terroriste dhe se s’kishte rekrutuar asnjë qytetar për qëllime terroriste. Madje ai ka shkuar përtej këtyre zërave, duke thënë se në websitet e internetit ai është provokuar nga struktura të veçanta, në mënyrë që këto të fundit të akuzonin dhe realizonin arrestimin e tij. I dyshuari kryesor për terrorizëm në Shqipëri ka mohuar akuzat, duke pohuar se në faqet e internetit çdo njeri është i lirë të shprehë mendimet e tij, për të gjitha problemet sociale dhe ekonomike që kanë përfshirë botën. Me këto deklarata, Artan Kristo ose siç njihet ndryshe me emrin Muhamed Abdullahi, ka lënë të nënkuptohet se Prokuroria e Durrësit do ta ketë të vështirë për të provuar veprën penale që është ngritur mbi supet e tij. Artan Kristo, tregon se e gjitha kjo, i ka ardhur pasi strukturat hetimore kanë dyshuar mbi aktivitetin e tij dhe lidhjet shoqërore që ka ai në shtetin e Egjiptit, Sirisë, Gazës, Iranit e disa vende të tjera të Lindjes së Mesme.