Gazetarja amerikane, Christiane Amanpour flet për profesionin, Ballkanin dhe Shqipërinë

E famshme si reportere e krizave në të gjithë botën, Christiane Amanpour kryeson sot drejtorinë e lajmit ndërkombëtar të CNN-it dhe drejton programin “Amanpour”, i cili ka nisur transmetimin në shtator të 2009-s çdo ditë në “CNN International”. E ka lënë terrenin për arsye personale, por konstaton jo pa keqardhje, se “lëshimi i terrenit” është tashmë një tendencë në gazetari, sidomos për lajmet nga jashtë vednit. Në një intervistë për revistën ATK, Amanpour flet për profesionin, por edhe për Ballkanin shqiptarët.


Pas 25 vitesh përvojë të jashtëzakonshme të raportimit nga terreni, "terreni" juaj më i ri i komunikimit është tashmë studioja e programit të CNN, "Amanpour”, në Nju Jork. Pse gjykuat se ishte pikërisht ky momenti për të marrë një vendim të tillë?


Për dy arsye: transferimi në Nju Jork, për shkak të punës së bashkëshortit tim dhe qenia nënë e një djali në rritje, që ka gjithnjë e më shumë nevojë për praninë time.


Gazetari i njohur i CBS-së, Tom Fenton, shprehet se nuk ka më emra të mëdhenj ndër korrespondentët e lajmit të huaj dhe se puna në terren e ka humbur "sharmin" e dikurshëm. Mendoni se vërtet po humbet shkëlqimi i gazetarisë së terrenit?


Nuk besoj se do të duhet të humbë "shkëlqimi" i gazetarisë së terrenit. Unë vazhdoj të mendoj se puna në terren duhet të jetë synimi i vetëm i çdo gazetari, veçanërisht atyre që punojnë si korrespondentë jashtë vendit. Konsiderohet përvojë e domosdoshme, pa të cilën nuk mund të jesh reporter. Sidoqoftë, problemi i vërtetë qëndron te burimet financiare, që po vijnë duke u shterur; shumë televizione në të gjithë botën po i kushtojnë gjithnjë e më pak vëmendje “lajmit nga bota”.


Nëse programi “Amanpour” është një “axhendë” për një “diskutim global”, siç edhe e keni cilësuar, a është Shqipëria e pozicionuar diku në atë axhendë?


Shqipëria është e rëndësishme, sigurisht që do të vijë momenti i saj.


Vizita juaj e parë në Shqipëri (ndoshta vetëm pak orë) ka qenë në ‘97-n, kohë kur vendi gjendej në prag të anarkisë, për shkak të rënies së firmave piramidale? Pse u larguat aq shpejt? çfarë kuptuat?


Nuk kam raportuar për shembjen e piramidave financiare. Vizita ime e parë domethënëse në Shqipëri ishte gjatë krizës në Kosovë, kohë kur Shqipëria strehoi dhe ndihmoi kosovarët që u larguan nga shtëpitë e tyre, për shkak të paramilitarëve, ushtrisë serbe dhe fushatës së bombardimeve të NATO-s.


Ju keni raportuar nga zonat më të nxehta e të vështira konfliktesh në të gjithë botën. çfarë të veçante pati raportimi nga Kosova?


Kosova ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për shumë arsye. Kosova shënoi vendosjen e një kufiri se deri ku bota mund të tolerojë dhe deri ku mund të shkojë ajo në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, jetëve njerëzore, kur nuk ka asnjë interes strategjik në lojë. Ishte ndërhyrja e parë e madhe humanitare, me pjesëmarrjen e shumë fuqive dhe shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrje që shënoi gjithashtu fillimin e fundit të regjimit të Millosheviçit, nisjen e një demokracie reale në Serbi dhe së fundmi pavarësinë e Kosovës. Kosova gjithashtu përfitoi për shkak të dështimit që po këto fuqi të Kombeve të Bashkuara pësuan në Bosnjë në fillimet e konfliktit. Bota nuk ishte e përgatitur për të parë edhe në Kosovë atë çfarë kishte parë më përpara në Bosnjë: gjenocid dhe spastrim etnik. Pavarësia e Kosovës kundërshtohet ende në Serbi dhe në të njëjtën kohë ka ende shumë për të bërë për të siguruar garanci afatgjata dhe reale për të gjithë qytetarët e Kosovës.


Ballkanit dhe konflikteve të nxehta të tij i keni kushtuar vite të tëra të karrierës suaj (raportimi nga Bosnja shënon padyshim një nga kulmet e angazhimit tuaj profesional dhe atij human). A mund të themi se tashmë kemi një pamje të qartë të Ballkanit të nesërm?


Jo, unë mendoj se Ballkani sot vuan krizën e të qenit jashtë fokusit të vëmendjes. Me fjalë të tjera, syri i medias nuk qëndron më në vende si Bosnja, ku ende ka çështje të mprehta politike, të sigurisë dhe ekonomike, që duhen vlerësuar para rrëshqitjes sërish drejt krizës. Në kontrast me këtë, Serbia duket se lëviz më qartë drejt demokracisë, prosperitetit ekonomik dhe vendosjes së kontakteve më të afërta me Europën, pavarësisht faktit se sot, 14 vjet pas luftës, Serbisë i kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare i akuzuari për krime lufte, Ratko Mlladiç, i cili është ende i lirë e në kërkim.


Thuhet se "ku ka luftë, është Amanpour". Më lejoni t'ju bëj të njëjtën pyetje që Kryeministrja izraelite Golda Meir i bëri vetes në një moment reflektimi: Një grua reagon ndryshe nga një burrë kundrejt luftës?


Edhe po, edhe jo. Kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, reagoi si çdo burrë tjetër shteti në luftën për ishujt Falkland me Argjentinën. Megjithatë, mendoj se gratë, gazetaret të paktën, kanë prirjen për të raportuar ndryshe, duke u përqendruar më shumë në humbjet njerëzore të luftës.


Cikli juaj i reportazheve “God's warriors”, shënon një nga përpjekjet më serioze për të kuptuar mbi religjionin dhe luftërat në emër të “besimit”. E mbështesni elaborimin e Huntingtonit se bota pothuajse ka hyrë në epokën e “përplasjes së qytetërimeve"?


Jo, nuk e mbështes. Unë mendoj se është një përballje mes ekstremistëve dhe të tjerëve, pavarësisht feve apo qytetërimeve.


Para pak kohësh, Zvicra vuri në veprim një ligj referendar që ndalon ndërtimin e minareve dhe xhamive në vend. Cili është opinioni juaj mbi këtë zhvillim?


Po fermentohet frikë në Zvicër. Fushata për të ndaluar ndërtimin e minareve (zor se gjen të tilla në Zvicër, gjithsesi...) ishte një fushatë elektorale e një partie politike në përpjekje për të fituar zgjedhjet.


"India është dhimbja ime më e madhe", shkruan nobelisti VS Naipaul për vendlindjen e tij. është Irani “dhimbja juaj më e madhe”?


Jo, vazhdoj të jem e mrekulluar me çfarë po ndodh në Iran. është një komb në rritje, është politika që po rritet... Mua, ashtu si shumë korrespondentëve të huaj këto ditë, më ndalohet rregullisht të shkoj atje, por unë ende besoj se të raportosh nga Irani mbetet një nga përvojat më interesante. Hendeku i madh i moskuptimit mes Perëndimit dhe Iranit është sa fenomenal, aq edhe i rrezikshëm. Prandaj përpiqem vazhdimisht të bëj më të mirën për të tejkaluar stereotipat e klishetë dhe të raportoj faktet e të vërtetën sa më mirë të mundem.


Media amerikane kritikohet shpesh dhe hapur nga ju për sa i përket hapësirës së kufizuar që i kushtohet lajmit ndërkombëtar. Pse ndodh kjo dhe çfarë mund të thuhet për publikun amerikan - është ai po kaq i painteresuar të mësojë për çfarë ndodh jashtë vendit të tij?


Unë besoj se publiku është i interesuar, por kompanive mediatike po u rrudhet qesja dhe lajmet nga bota janë të parat që e pësojnë. është për të ardhur keq, por është edhe e rrezikshme të ndodhë kështu, sepse amerikanët kanë drejtë të informohen për çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës, ashtu sikundër edhe bota kërkon të mësojë për Amerikën.


Ka ndryshuar sado pak kjo qasje pas 11 shtatorit?


Në periudha të caktuara dhe vetëm për “breaking neës”.


Ndërkohë keni qenë mjaft e drejtpërdrejtë dhe e ashpër për mënyrën se si dhe sa media amerikane pasqyron luftën në Irak. Po ju citoj: "Lufta në Irak duhet të jetë çdo ditë, çdo kohë, në krye të çdo edicioni informativ dhe në faqen e parë të çdo gazete...". Nëse sjellim në kujtesë luftëra të tjera, ku SHBA-ja është përfshirë, për cilën prej tyre mbulimi mediatik ka qenë i tillë?


Mendoj se shumë konflikteve sot në botë, shumë ngjarjeve të rëndësishme që ndodhin jashtë, u duhet dhënë mbulim i konsiderueshëm mediatik. Kjo po ndodh rrallë e për mall. Por sigurisht që për gjeneratën time, lufta e Bosnjës zinte faqet e para të gazetave dhe ishte lajmi kryesor në transmetimet informative radiotelevizive për vite me radhë.


Pushteti në rritje i të ashtuquajturës “mainstream media” kudo në botë po na bind çdo ditë e më shumë se nuk mund të pretendohet më për institucione mediatike krejtësisht të pavarura. Si mendoni, çfarë e shpëton profesionalisht një gazetar në këtë atmosferë? A ka të ardhme për gazetarinë e kulluar?


Dua të them vetëm një gjë këtu: një shtyp i lirë, i pavarur dhe rigoroz, është çështje kyçe për një demokraci të qëndrueshme. Nëse media ngatërrohet apo mbahet peng prej çfarëdolloj interesash të caktuara, atëherë vuan demokracia, e drejta sociale dhe të drejtat e njeriut.


Dikur diskutohej shumë për rëndësinë e të qenit objektiv në raportim, sot gjithnjë e më tepër po flitet për të qenë transparent e për të raportuar të vërtetën. Sa e ndani mendimin që, me gjithë rritjen e mundësive dhe burimeve të informacionit, gjetja e të vërtetës po bëhet më e komplikuar?


Zbulimi i së vërtetës dhe i informacionit të bazuar në fakte duhet të jetë parësor dhe i domosdoshëm. Gazetarët duhet të tregohen syçelë për të mos lejuar që komentet dhe opinioni publik, blogjet dhe gazetaria qytetare, t’u rrëmbejnë atë hapësirë e kohë që i duhet dedikuar informimit objektiv nga terreni.


Raportimin e parë për uljen e avionit në lumin Hodson nuk e bënë korrespondentët dhe agjencitë e lajmeve që po e vështronin ngjarjen nga zyrat e tyre, por një qytetar me anë të “Tëiitter”. Sa i sfiduar është profesioni i gazetarit nga "gazetaria qytetare"?


Ngjarja së cilës ju i referoheni ka të bëjë më shumë me "raportimin e dëshmitarit", një informacion që vjen nga dikush që e ka parë i pari ngjarjen. Ka qenë gjithmonë kështu. Por më parë njerëzit e jepnin këtë informacion duke telefonuar në redaksitë e një institucioni mediatik. Sot ata i shkruajnë botës në “Tëitter”. është thjesht çështje sistemi në përcjelljen e lajmit, jo gazetari.


Neëton Minoë e quajti televizionin amerikan të viteve ’60 një “djerrinë të pamat". Si do ta kishit cilësuar ju televizionin e ditëve të sotme?


Një rrip ka mbetur pa u kthyer në “djerrinë”. Dhe ky “rrip” sa vjen dhe bëhet më i vlefshëm.


Intervistoi BRIKENA KRASTA
Marrë nga revista AKT,
e përtejmuajshme kritike



Kush është Christiane AMANPOUR

Përgjatë dy dekadave si korrespondente e lajmit ndërkombëtar për stacionin televiziv amerikan CNN, Christiane Amanpour, një nga gazetaret më të njohura dhe më të respektuara sot në botë, ka informuar mbi të gjitha krizat dhe nga të gjitha vatrat më të nxehta të globit, përfshirë Irakun, Afganistanin, Palestinën, Iranin, Pakistanin, Somalinë, Ruandën, Bosnjën, Kosovën dhe SHBA-në (gjatë uraganit Katrina).
Lufta e Gjirit Persik gjatë vitit 1990, kohë kur Christiane raportonte për pushtimin irakian dhe masakrën e Saddam Hussein–it ndaj civilëve të Kuëait-it, e shndërroi atë në imazhin kryesor të CNN-it.
Disa nga intervistat ekskluzive që Amanpour ka mundur të realizojë gjatë karrierës së saj të shkëlqyer profesionale janë me:
Presidentin e Iranit Mohammad Khatami, 1997;
Mikhail Gorbachev–in, në dhjetëvjetorin e rënies së komunizmit, 1999;
Presidentin e Pakistanit, Pervez Musharraf, gjatë luftës kundër Afganistanit, 2001;
Presidentin e Palestinës Yasser Arafat (gjatë izolimit të tij në godinën e Shtabit të Përgjithshëm në Ramallah), 2002;
Kryeministrin e parë palestinez Mahmoud Abbas, 2003;
Kryeministrin britanik Tony Blair dhe Presidentin e Francës Jacques Chirac (pas 11 shtatorit dhe pak para luftës në Irak), 2003;
Presidentin e Zimbabvesë Robert Mugabe (programi “Amanpour”, CNN) 2009.
Puna e saj është vlerësuar me disa çmime të rëndësishme, si:
çmimi i Nderit nga Akademia e Televizionit; nëntë çmime EMMY për informacionin dhe dokumentarin, katër çmime “George Foster Peabody”, tri çmime të duPont-Columbia, çmimin e Kurajës në Gazetari, çmimin “Edëard R. Murroë” dhe çmime të tjera gazetarie, përveç gradave të nderit nga Universiteti Amerikan i Parisit, Universiteti Georgetoën, Universiteti i Neë York-ut, Smith College, Universiteti Emory dhe Universiteti i Michigan-it.
Në vitin 2007, Amanpour u shpall nga Madhëria e saj, Mbretëresha Elizabeta II, Komandante e Urdhrit më të Lartë në Perandorinë Britanike, për “Spikatje dhe kontribut inovativ në fushën e gazetarisë”.
Në vitin 1998, qyteti i Sarajevës i dha titullin “Qytetare nderi” për “Kontributin personal në shpërndarjen e së vërtetës”, gjatë Luftës së Bosnjës në vitet 1992-1995.
Christiane Amanpour u lind më 12 janar 1958 në Londër, nga një nënë angleze dhe baba iranian, por shumë vite të fëmijërisë dhe rinisë së saj i kaloi me familjen në Teheran.
Ajo studioi gazetari në universitetin e Rhode Island (SHBA), ku u diplomua me medalje ari. Christiane është e martuar që prej vitit 1998 me ish-zëdhënësin e Departamentit të Shtetit Amerikan, James Rubin, me të cilin ka një djalë 10-vjeçar, Darius.
Christiane Amanpour kryeson aktualisht drejtorinë e lajmit ndërkombëtar të CNN-it dhe drejton programin “Amanpour”, i cili ka nisur transmetimin në shtator të 2009-s çdo ditë në “CNN International”.
Nëpërmjet intervistave me personalitete të shquara dhe specialistë të ndryshëm, “Amanpour” ofron gjatë 30 minutave transmetim një analizë të thellë të ngjarjeve më të rëndësishme të globit.








#