Prizren, 11 gusht 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër "DokuFest", që zhvillohet tradicionalisht në Prizren.

Kryeministri Mustafa është takuar me drejtuesit e Festivalit, drejtorin ekzekutiv Eroll Bilibani dhe drejtorin artistik Veton Nurkollari si dhe pjesën tjetër të stafit të DokuFest-it.

Kryeministri Mustafa më pas ka vizituar ambientet ku shfaqen filmat dokumentar dhe të shkurtër si dhe ku zhvillohen pjesa tjetër e aktiviteteve në kuadër të DokuFest 2015.

Në një deklaratë për gazetarët e pranishëm, kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e madhe që ka për kulturën, për Prizrenin dhe për tërë Kosovën, ky Festival. "Unë erdha të vizitoj një ngjarje shumë të rëndësishme kulturore e cila ka zënë fill dhe po zhvillohet në mënyrë të mrekullueshme falë dy faktorëve. Së pari Prizrenit, si një qytet dhe një vend i cili është shumë sfidues jo vetëm për kosovarët por edhe për evropianët dhe qytetarët tjerë dhe një ekipi të mrekullueshëm të njerëzve të cilët po punojnë këtu, të cilët po japin kontributin dhe energjinë e tyre dhe të cilët kanë treguar një kreativitet të hatashëm dhe po i japin emër të mirë jo vetëm Prizrenit por edhe Kosovës, në një ngjarje të rëndësishme kulturore", tha kryeministri Mustafa.

Më tej, kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi se është detyrë e Qeverisë dhe e Ministrisë së Kulturës, që të përkrah këtë ngjarje kulturore. "Është detyrë e jona edhe si Qeveri edhe si Ministri e Kulturës, që ta përkrahim shumë më shumë këtë ngjarje kulturore, natyrisht më herët me rastin e përgatitjes së tyre sepse biseduam edhe më parë që ne nganjëherë po vonohemi me përkrahjen dhe pastaj krijohen komplikime sa i përket mbulimit të shpenzimeve dhe racionalizimit të të gjitha punëve. Do të bëjmë përpjekje që në të ardhmen të jemi së bashku dhe Qeveria ta jap kontributin e vet sepse këtë e meriton DokuFest-i, e meriton edhe Prizreni dhe veçmas ekipi, i cili po punon dhe po bënë një angazhim të mirë", u shpreh kryeministri Isa Mustafa.

Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari, e ka vlerësuar lartë përkrahjen që kryeministri Mustafa ka ofruar për DokuFest-in gjatë kësaj vizite. "Unë e vlerësoj lartë, na ka bërë të ndihemi tepër mirë, jo vetëm për vizitën por edhe për shprehjen e përkrahjes për DokuFest-in dhe për qytetin e Prizrenit, dhe për tërë atë që po ndodhë këtu", u shpreh Nurkollari.