Gjatë darkës së shtruar në Munih, kryeministri Mustafa ka pasur mundësinë që të takohet dhe të bashkëbisedojë me shumë burrështetas dhe personalitete të shquara ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Ndërkaq, një takim të veçantë, kryeministri Isa Mustafa e ka zhvilluar me kongresistin amerikan, Eliot Engel, mik i madh i Kosovës dhe popullit të saj.

Gjatë takimit, kongresisti Engel, pasi e uroi kryeministrin Mustafa për detyrën e re në udhëheqje të Qeverisë së Kosovës, shprehu përkrahjen e tij për qeverinë e re.

Mustafa e njoftoi kongresistin Engel lidhur me konsolidimin e Qeverisë së Kosovës dhe proceset që po zhvillohen gjatë kësaj periudhe.

Kryeministri e falënderoi kongresmenin Engel dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme që po japin për shtetin dhe popullin e Kosovës.