Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, përgëzon Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët islamë të Kosovës.
Në mesazhin e urimit thuhet:




I nderuari Myfti Tërnava,
Të nderuar besimtarë të besimit islam,

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


Jam i nderuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, të shpreh urimet e sinqerta për fillimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, Juve dhe gjithë qytetarëve të besimit islam të Kosovës.




Edhe këtë vit, ashtu si edhe për vitet në vijim, urojmë që muaji i madhërishëm i Ramazanit të gjejë familjet tona në harmoni, mirëqenie, lumturi dhe dashuri.




Urojmë që edhe këtë vit, muaji i madhërishëm i Ramazanit të pasqyrojë në mënyrë të denjë bindjen fetare dhe sprovën për t'iu përkushtuar lartësimit shpirtëror.




Sakrifica, toleranca dhe solidariteti urojmë që të përcillen te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përgjatë këtij muaji të shenjtë.




Këto mesazhe që përcjell muaji i shenjtë i Ramazanit, për qytetarët e Kosovës përkujtojnë sakrificën dhe angazhimin e të gjithë qytetarëve tanë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.




Muaji i Ramazanit, këtë vit Republikën e Kosovës e gjen në thellimin e përkushtimeve institucionale për konsolidimin dhe forcimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës, në angazhimet për forcimin e shoqërisë demokratike, duke përmbushur agjendën evropiane dhe euroatlantike të integrimit.




Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim edhe njëherë ju shpreh përgëzimet më të sinqerta.