“Më 10 dhjetor Mbretëresha Elisabeta e Dytë, firmos Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila prej disa ditësh po zhvillon një vizitë zyrtare në Londër, ka marrë konfirmimin nga institucionet e Mbretërisë së Bashkuar se, më 10 dhjetor Mbretëresha Elisabeta e Dytë do të firmosë Ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Gjatë vizitës së saj në Londër, Kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar disa takime të nivelit të lartë, ku ndër të tjera ka

qenë e ftuar e veçantë në një prej ceremonive më madhështore të jetës parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, në seancën e jashtëzakonshme të fjalimit të Mbretëreshës Elisabeta e Dytë. Kryetarja e Kuvendit ka marrë pjesë në këtë ceremoni simbol të Mbretërisë së Bashkuar, e cila është e rezervuar vetëm për të ftuar të përzgjedhur të hierarkisë më të lartë dhe krerë të institucioneve kryesore britanike.

Kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar takime me pjesën më të madhe të ministrave të kabinetit Braun, si dhe me deputetë të parlamentit dhe të dhomës së Lordëve.

Një takim shumë të rëndësishëm Topalli ka zhvilluar me përfaqësuesit e grupit parlamentar të miqësisë Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri.

Gjatë vizitës së saj në Londër, Kryetarja e Kuvendit u prit në një takim të veçantë nga nënkryetarja Silvia Hill, Kryetarin e Dhomës së Komunëve, Michael Martin, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore në Komisionin e politikave të jashtme me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të grupit parlamentar të miqësisë, Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri, ku u diskutua ratifikimi i protokollit të NATO-s, hapat dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria në rrugën e integrimit Euro-Atlantik, por edhe çështja e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, ishte gjithashtu e ftuar speciale nga Universiteti i mirënjohur LSE (London School of Economics and Political Science) për të referuar mbi rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s dhe BE-së , dhe për ecurinë e procesit të reformave.



Jozefina Topalli - Michael Martin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë dje e ftuar nderi nga Kryetari i Dhomës se Komunëve, Michael Martin, ku dhe mori pjesë në mbledhjen konfidenciale të forumit më të lartë të vendimmarrjes të Dhomës së Komunëve, (komiteti drejtues i kryesisë së parlamentit) ku përveç kreut të parlamentit, Martin, marrin pjesë vetëm tre nënkryetarët e parlamentit, për të vendosur me dyer të mbyllura axhendën e tyre të punës.

Kontaktet në nivel kryetarësh apo komisionesh parlamentare të cilat i shërbejnë frymës së bashkëpunimit midis dy parlamenteve, ka qenë thelbi i kësaj mbledhje.

Kjo mbledhje është një nga më të rëndësishmet për Parlamentin Anglez, i cili duhet të vendosë sesi do të veprojë Dhoma e Komunëve rreth çështjes më të nxehtë politike në Britani, arrestimin disa orësh të para diteve të një deputeti dhe hyrjen e policisë në parlament, një akt që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë një mijëvjeçare të Parlamentit Britanik.

Ngjarja që ka tronditur skenën politike në Britani ka nxjerrë në plan të dytë edhe debatin tradicional që zhvillohet në Dhomën e Komunëve menjëherë pas fjalimit të Mbretëreshës. Kjo është hera e parë që një personalitet i huaj ftohet të marrë pjesë në një takim të tillë me vendimmarrësit më të rëndësishëm të Parlamentit Britanik, duke dalë kështu jashtë traditës dhe protokollit strikt anglez, veçanërisht në një moment të tillë pa precedent të Monarkisë Parlamentare Britanike.



Jozefina Topalli - John Grogan

Kryetarja e Kuvendit takime me ministra dhe deputetë të parlamentit britanik si dhe përfaqësuesit e grupit parlamentar të miqësisë Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Londër, mori pjesë në ceremoninë madhështore të Mbretëreshës së Anglisë, zhvilloi takime me pjesën më të madhe të ministrave të kabinetit Braun, me deputetë të parlamentit dhe të dhomës së Lordëve, si dhe zhvilloi një takim shumë të rëndësishëm me përfaqësuesit e grupit parlamentar të miqësisë Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri. Pas këtij takimi Kryetarja e Kuvendit dhe John Grogan, përfaqësues i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri –Angli, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Kam qenë dy herë në Shqipëri. Progresi i këtij vendi, vitet e fundit ka qenë i dukshëm. Vitin tjetër në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet politike dhe unë shpreh bindjen se ato do të zhvillohen sipas standardeve demokratike evropiane. Ka një rritje të zhvillimit ekonomik dhe mendoj se ka një perspektivë për praninë e biznesit britanik dhe atij evropian në Shqipëri. Gjithashtu vlerësoj se anëtarësimi në NATO është një shenjë shumë pozitive dhe mendoj se Shqipëria do të bëhet pjesë e familjes evropiane. E konsideroi vizitën e Kryetares së Kuvendit në Angli si një hap shumë të rëndësishëm për konfirmimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Anglia është një vend mik në përkrahje të proceseve integruese të Shqipërisë në NATO dhe BE, për demokracinë dhe zhvillim ekonomik të saj”, u shpreh midis të tjerave John Grogan.

...