Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u prit në takim zyrtar nga Kryetari i Asamblesë Popullore të Egjiptit, Fathy Souror.

Pas takimeve të shpeshta ndërkombëtare me zonjën Jozefina Topalli, zoti Souror shprehu kënaqësinë, që po priste në vendin e tij Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, e cila, siç tha ai, është një lidere në vendin e saj.

Dy kryeparlamentarët vlerësuan se bashkëpunimi mes parlamenteve të të dy vendeve, me lidhje historike dhe miqësore, është shumë i rëndësishëm, por ai duhet forcuar në aspektin ekonomik, në shkëmbimet tregtare dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Dy homologët u ndalën edhe në çështjen e Kosovës. Zonja Jozefina Topalli, duke vlerësuar ndihmën e dhënë nga Egjipti gjatë luftës në Kosovë, tha se ne e konsiderojmë Egjiptin si një vend lider të botës arabe, që me influencën e tij do të ndikonte mjaft në njohjen e shtetit të Kosovës. Ky realitet i ri, tha Kryetarja e Kuvendit, ka ndikuar në stabilitetin e rajonit tonë, duke çuar përpara fqinjësinë e mirë, pas njohjes së Kosovës nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë".



Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Egjiptit, i pranishëm në takim, siguroi zonjën Jozefina Topalli se ky komision do ti rekomandojë Qeverisë së Egjiptit njohjen e shtetit të Kosovës, pasi edhe opinioni publik është në favor.

Në nderim të vizitës së zonjës Jozefina Topalli, Kryetari i Parlamentit kishte përgatitur posaçërisht për të një medalje të artë, ku ishte gdhendur emri i saj, gjë që sipas tij do tia bënte Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë të paharrueshme vizitën e saj të parë në Egjipt.