Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli  priti sot në një takim të veçantë përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe Kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç,
 
Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite dhe rolin e komunitetit serb në Kosovë, Kryetarja e Kuvendit tha se  pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale është një shenjë e maturisë dhe e vullnetit pozitiv që vendet dhe popujt e Ballkanit kanë për paqen e qendrueshme por edhe për përshpejtimin e  proceseve integruese.
 
Ajo shprehu kënaqësinë për hapat e bëra në konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës si dhe për rritjen e bashkëpunimit mes  komuniteteve të përkatësive të ndryshme etnike, pasi kjo tha ajo, është edhe baza mbi të cilën është ngritur dhe funksionon edhe vetë Bashkimi Europian.
 
Duke u ndalur në vendimin e BE-së për heqjen e vizave Kryetarja e Kuvendit tha se, në korrik të 2010 do të hiqen vizat edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe së shpejti, jemi të bindur se edhe Kosova do të përfshihet në proçesin e liberalizimit të vizave.
 
Nga ana e tij zoti Petroviç, duke e konsideruar këtë vizitë si historike për mesazhin që jep, tha se këto takime do kenë një impakt pozitiv në interes të popujve  të Kosovës dhe të Shqipërisë.
 
Ai e cilësoi si një gjest me simbolikë të madhe, mesazhin e Qeverisë shqiptare për ndihmë ekonomike në ndërtimin e kishave apo objekteve të tjera  në komunat me shumicë serbe.

Zoti Petroviç, si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjen nga Kryetari dhe deputetët e Kuvendit si dhe ftesën për një vizitë në Kosovë, ku, siç u shpreh ai, do të gjeni miq të rinj.
 

Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Petroviç vlerësuan se bashkëpunimi mes dy Kuvendeve ka ardhur në rritje, ndërsa shprehën bindjen dhe vullnetin për nxitjen e mëtejshme të marrëdhieve edhe mes komisioneve parlametare apo grupeve të deputetëve.
 
Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i ri i zgjedhur i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç,  Ministri për Kthime dhe Komunitete, Sasha Rashiç, Ministri i Punës dhe Mirëqenies  Sociale,  Nenad Rashiç dhe Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të shqipërisë, Fatos Beja.