Skënder Minxhozi - Dy net më parë, ish-zv.kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i mazhorancës aktuale, deklaroi vendimin e pakthyeshëm për të lënë grupin e tij parlamentar, si hapi i parë i largimit definitiv nga partia.



Gazmend Oketa ndërmori një akt të pamohueshëm kurajoje politike e qytetare, në mesin e një kulture të rrënjosur konformizmi ndaj Berishës. Bashkë me një tufë burrash të tjerë, figura të djeshme dhe të sotme të së djathtës zyrtare, ai do të përgatisë formatin e ri politik që pritet të drejtohet nga Bamir Topi, duke nisur nga vera e këtij viti.

Por veprimi i tij vjen e forcon gradualisht edhe një tjetër fenomen, atë të bjerrjes e shkërmoqjes graduale të entuziazmit tashmë të shuar, që rrethonte dikur shumicën që na qeveris prej gjashtë vjetësh e gjysmë. Çka faturohet në listën e gjatë të ngjarjeve të papëlqyeshme që kanë ndodhur në gjysmë hije, apo edhe publikisht, brenda PD.

Megjithatë, kur i sheh përballë dy forcat më të mëdha politike të vendit, nuk mund të mos hasësh një deformim optik të hatashëm mes asaj që ndodh në PD dhe asaj që thuhet shumë shpesh se ndodh në PS. Përfshirë edhe aktin e mësipërm të Oketës.

Ku është lajmi, kur flitet për këto dy formacione politike? Sa informacion të qenësishëm dhe sa thashetheme, fjalë korridoresh e hamendje të pavërteta, ka brenda lajmit politik që prodhojnë dy selitë e mësipërme? Diplomatë të huaj, zyrtarë që vizitojnë Shqipërinë apo që thjesht marrin informacion rreth asaj që ndodh në vendin tonë, gazetarë të vendit e të huaj, fanatikë të politikës, tifozë partish apo edhe njerëz të thjeshtë, pyesin shumë shpesh se çfarë po ndodh brenda këtyre dy forcave politike. Ky është një sport kombëtar në shumë anë të botës, por këtu tek ne ai ka marrë formën e një patologjie kombëtare.

Megjithatë, që të arrish te lajmi, kur flitet për duetin PD-PS, duhet të kalosh te bartësit e tij. E menjëherë të del para korpusi i stërmadh i medias elektronike dhe të shkruar, blogjet e internetit, botimet e shumta dhe gjithçka tjetër hyn brenda përcaktimit të medias. Kur futet në këtë epruvetë gjigande, lajmi politik që i përket dy formacioneve në fjalë, jo rrallë ribëhet, merr formë, ngjyrë, erë e shije tjetër nga ajo që ka në të vërtetë.

Për shembull, fakti që Presidenti i sotëm, ish-nënkryetari historik i PD, së bashku me një listë politikanësh të të njëjtit krah dhe sigël, po krijojnë një forcë të re politike, nuk përbën aspak lajm dhe nuk i fut asfare në mendime një pjesë të mediave. Ato e kanë vendosur me politikën e tyre editoriale që në këtë proces “nuk ka lajm”, që Bamir Topi do të jetë lideri i një partie pa peshë dhe që e gjitha kjo nuk do t’i kushtojë aspak mazhorancës. Më tej akoma, nuk përbën lajm as fakti që Partia Demokratike nuk arrin të zgjedhë, prej dhjetorit 2009, disa prej forumeve të saj drejtuese. Formati i përpunuar i “lajmit” e do që kjo të jetë thjesht një gjë periferike, e cila kompensohet nga fakti që PD s’ka nevojë për drejtues partiakë, për sa kohë që përfaqësohet në qeveri! E kotë të nënvizosh pastaj sesa i parëndësishëm, madje i mirëqenë, duket edhe dominimi aspak elegant që Berisha i bën partisë së tij prej vitesh. Kjo komentohet thjesht si një histori suksesi, e jo siç e ka emrin e vërtetë: një dhunim flagrant dhe ekstrem i çdo premise për një demokraci të brendshme normale.

Ndërkaq, e njëjta optikë hileqare prodhon lajm edhe aty ku ka shpesh veçse thashetheme, apo bërryla meskinë kafenesh. Çdo mbledhje e forumeve drejtuese të opozitës përfundon rregullisht në formë batutash e dialogësh integralë në faqet e gazetave, çdo shtrembërim vetullash apo reagim tavoline që njëri ndër eksponentët opozitarë i bën kolegut të tij, shihet si pragu i një gjëme politike apo si i një cunami të afërt. Me të njëjtën teknologji, ky proces i rrejshëm informimi infekton jo rrallë edhe përfaqësitë diplomatike, të cilat bombardohen me beteja imagjinare të njërit kundër tjetrit, ndërkohë që në partinë përballë, toka e djegur rreth liderit shitet si një lëndinë e gjelbër me lule dhe ajër të freskët. Me qëllimin e vetëm, për të mbajtur gjallë realitet paralel, të deformuar dhe aspak objektiv të asaj që ndodh realisht në kampet politike respektive të dy forcave që dominojnë jetën politike në Shqipëri.

Lajmi është jo rrallë një materie e lëvizshme, një element kimik i paqëndrueshëm, por edhe një armë që keqpërdoret e që shkakton jo pak dëme. Sentenca e njohur se informacioni është pushtet, vlen shumë në rastin e mësipërm. Megjithëse ndoshta duhet të vlente më tepër një tjetër sentencë e improvizuar: dizinformacioni është pushteti i vërtetë!




Gazeta 'Shqip'