Pas disa muajsh qetësie rikthehen vjedhjet në qytetin e Kukësit. Të shtunën, në orët e vona të natës, është konstatuar vjedhja me thyerje e një dyqani artikujsh ushqimorë në rrugën "Shote Galica" të pronares Vjollca Tota, ku persona tashmë të dyshuar kanë marrë një sasi malli, një gjenerator, si edhe 900 euro. Policia e rendit, pas denoncimit të marrë nga pronarja, ka krehur zonën në orët e para të mëngjesit dhe ka shoqëruar tre persona të skeduar si vjedhës dhe për të cilët ka indikacione se mund të jenë autorët ose bashkëpunëtorë në vjedhje. Muaj më parë, një grup adoleshentësh vodhi një nga farmacitë e qytetit, me shumën rreth 5 mijë eurosh, por pas 10 orësh kërkimi, adoleshentët ranë në duart e policisë bashkë me paratë e vjedhura. Burime të policisë thonë se vjedhja është kthyer në një dukuri mjaft të përhapur dhe si protagonistë janë të rinjtë.