Kultura politike është një nga temat më kontradiktore në teorinë e shkencave politike. Gabriel Almond, Sidney Verba, Lucian Pye etj., e zgjeruan konceptin, duke përdorur analizën interdisiplinore të kulturës politike, analizë që zgjatej sa në sociologji, sa në psikologji, sa në antropologji e sa në histori. Post-strukturalistët e post-modernistët sulmuan konceptet e Almond, Verbes etj., por pa i hedhur poshtë ato. Me gjithë teoritë, analizat dhe diskutimet, prapë kultura politike mbeti një fushë e minuar për çdo studiues të shkencave politike e sociale në përgjithësi. Fërkimet teorike në këtë fushë fokusohen veçanërisht në dy pika: a ka kuptim ndarja kulturë dhe kulturë politike? Pse duhet ta ndajmë kulturën në politike e jopolitike? Dhe, a është kultura politike një grup vlerash të trashëgueshme që nuk ndryshojnë me breza të tërë apo ndryshon me periudha të shkurtra me ndryshimin e sistemeve ose me ndryshimin e qeverive?



Çdo pyetje teorike merr përgjigje më mirë kur testohet në terren. Në fakt, ky lloj testimi të çon në përfundime të ndryshme nga terreni në terren, por kjo ka pak rëndësi. Formula e shkencave sociale pranon ndryshoret që formohen në çdo kontekst specifik. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit na ofrojnë material shumë të pasur, ku mund të lëvrohet kultura politike. Në të njëjtën kohë, ky rast na jep mundësinë të përdorim mjetet që na jep shkenca për të kuptuar më mirë vetveten. Pyetja se, a duhet të ndahet kultura në politike dhe jo politike, në kontekstin shqiptar të 28 qershorit, merr përgjigjen "jo". Nuk mund ta ndash kulturën në politike ose jo, sepse në këtë vend çdo gjë është politike. Njerëzit dëgjojnë me orë të tëra programe politike, por kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe pjesa më e mirë e gjithë kësaj. Bashkështetasit e mi flasin me një eufori të çuditshme për politikë, përfshijnë çdo gjë në politikë dhe ngjyrat e saj, flamujt e partive zëvendësojnë dhe ato të vendit në makina e ballkone ose njehsohen e barazohen me flamurin kombëtar. Politika arrin të bëhet edhe element lidhjesh dhe prishjes miqësore. Besohet se politika të heq nga puna ose të bën me punë, të zhvillon ose të shkatërron biznesin etj., etj. Për shumicën tonë, politika është arsye inati e mllefi, mallkimi ose bekimi... Në këto kushte, kur politika të bën me punë ose të lë pa punë, të bën me bekim e të bën me mallkim, të bën me trimëri apo të bën me frikë, do të thotë që, për ne, politika është ajri që thithim dhe buka që hamë...



Në të vërtetë, që të mos ketë ndarje të gjërave politike dhe jo politike, sociale e politike, kulturore e sociale etj., në shkenca politike, brenda logjikës të një teorie të caktuar, kjo është e dëshiruar. Duke ndjekur të mëdhenjtë e kësaj linje mendimi, që mund të fillojnë nga Michel Foucault e vazhdojnë me Slavoj Zizek, edhe e mbroj mosndarjen apriori të dukurive sociale. Megjithatë, edhe pse provon teorinë e atyre që i kanë për zemër analizat interdisiplinore, qenia e politikës, buka e gojës, nuk përbën mosndarjen që kërkojmë ne. Mosndarja që bëhet fjalë këtu në praktikë ka lidhje me transparencën në qëllime, vendime dhe te shanset e barabarta. Ajo kërkon që qëllimi i çdo veprimtarie të jetë i parathënë dhe çdo veprimtari shtetërore të mos përdoret ndarja në sfera si ndarje në parcela pasurimi e forcimi të pushtetit personal e familjar. Çdo gjë që bëhet, të thuhet pse bëhet dhe të përfundohen qëllimet e parathëna. Në këtë kuptim, post-strukturalistët kërkojnë të evitohen edhe në ligjërim ndarjet e tjera, përveç së vërtetës dhe mashtrimit. E gjithë kjo për të evituar që politika të jetë buka e gojës....



Meqë në kontekstin shqiptar nuk ndodh kështu dhe shumica e gjërave të thëna janë ndryshe nga çfarë mendohet e synohet, paranoja përfshin edhe grimcat më të vogla të jetës së përditshme, dhe politika bëhet buka e gojës e ajri që thithim. Po a ishte gjithmonë kështu apo kjo gjithëpërfshirje e çdo gjëje në politikë është një trend i ri? Në fakt, nëse kthehemi në retrospektivë, mund të themi që ka rreth 90-100 vjet që është kështu. Arsyet ndryshojnë në periudha të ndryshme të këtyre 80-90 viteve, por një gjë mbetet: ka rreth një shekull që politika është buka e gojës dhe ajri që thithim, dhe ne nuk ditëm kurrë ta kthejmë atë në mjetin që prodhon bukë për të gjithë e që pastron ajrin e të gjithëve.



Kultura jonë politike - që është mënyra se si e shohim dhe e kuptojmë shtetin, e se si shteti trajton qytetarët, ligjërimi politik i elitave dhe veprimi politik i tyre, mënyra se si flasim për liderët dhe ajo si i kritikojmë ata, mënyra se si flasin disa nga liderët dhe ajo se si kritikojnë ata, mënyra se si veprojnë partitë e se si njerëzit lidhen me to, mënyra se si reagojmë në diskutime për shtetin dhe instancat e tij e si i perceptojmë ato - nuk ka ndryshuar që nga koha kur "këpucët e Lulit të vocërr hanin mësuesin" dhe tani kur Luli i madh akuzohet te ketë ngrënë djersën e Lulit të vocërr. Në fakt Luli vogël, Luli madh, mësuesi, këpucët ...duket sikur s‘ka ndryshuar gati asgjë, Noli dëbohej, Fishta digjej, Migjeni lihet nën hije.... Shumë u revoltuan për Nolin e me Nolin, shumë u dogjën për Fishtën e me Fishtën, shumë tani revoltohen për Migjenin e me fjalët e Migjenit që rri i pavënë re me një bust që dergjet mes dheje e pluhuri; pardje Noli, dje Fishta, sot Migjeni.... Kultura politike shqiptare nuk përbën një grup të caktuar perceptimesh, reagimesh e ligjërimesh që kanë lidhje me shtetin, shtetasit e subjektet politike, por për fatin e mirë të post-strukturalistëve e të keq të shqiptarëve ajo është buka që hamë, e uji që pimë, pa u bërë ajo që prodhon bukën e të gjithëve e pastron ujin e të tërëve...



Në fakt, rasti shqiptar do të ishte një shembull i mirë për post-modernistët që, duke pasur një shembull kaq flagrant në dorë, ndoshta dhe nuk do mundoheshin të gjenin pse ndodh kështu...por do të vendosnin krejt qartë që në Shqipëri nuk ka ndarje politike e jo politike, sepse çdo gjë është politike dhe se kultura (politike) nuk ndryshon në vite.... Megjithatë, si pjesë e kësaj kulture që na e bën politikën ushqimin bazë, do pyesja pse ndodh kështu? Mos vallë sepse një grup i vogël njerëzish është munduar gjithnjë të mbajë në dorë çdo gjë? Mos vallë edhe pse atëherë kur mendonim se ishim në demokraci, domethënë në sistemin e shanseve të barabarta, ishin grupet e vogla të disa njerëzve që bënin ç‘të donin përsëri? Mos vallë sepse në çdo moment kur njerëzit kanë kërkuar më shumë, rrethet familjare e klanore të disave kanë menduar që racioni do zvogëlohet po të ndahet? Mos vallë sepse sado të ndryshëm të jenë këta njerëz në periudha të ndryshme, mentaliteti ka qenë i njëjtë e në këtë kuptim ata janë të njëjtë pa dallim feje, krahine a origjine? Mos vallë sepse duke përfituar gjithnjë një grup i vogël njerëzish, pjesa tjetër është ushqyer me premtime populiste që me kalimin e viteve janë bërë specialiteti më i mirë i atyre që dinë të mbajnë me premtime e thërrime realizimesh, ndërsa pasurojnë familjet? Mos vallë sepse për një pjesë të bashkështetasve të mi kjo është bërë një mënyrë të kuptuari e perceptuari të botës, pa të cilën nuk bëjnë e jashtë së cilës nuk mund të bëjnë, prandaj duan ta vazhdojnë kështu?



I gjithi ky varg pyetjesh pak a shumë retorike ka një përgjigje mjaft të thjeshtë; Po. Por, ka një pyetje tjetër themelore që ka një përgjigje krejt të kundërt. A do vazhdojë prapë kështu; Jo. Në ekonomi, për të kuptuar uljet e ngritjet e krizave dhe zhvillimin ekonomik të sistemeve botërore e shteteve të ndryshme, edhe pse tashmë të vjetra teorikisht, përdoren e janë përdorur shumë valët e Kondradievit. Valët e Kondradievit ishin mesatarisht 50-60-vjeçare. Në shkenca sociale shpesh përdoret shekulli i cili ka kuptim historik siç ka kuptimin e vet në zhvillimin biologjik të brezave. Ndërkohë që, pavarësisht nga përplasjet e tyre teorike, edhe studiuesit e kulturës, përfshi dhe antropologët, besojnë në forcën ndryshuese e në vlerat e reja që akumulohen brenda një qindvjeçari. Në këtë kuptim, në të gjitha aspektet, duket që kultura politike dhe politika e 100- vjeçarit të shkuar të saj në Shqipëri është gati ta mbyllë ciklin. Kjo mbyllje pa diskutim që shprehet në një reflektim të theksuar të saj, si çdo tatëpjetë që rrit forcën përfshirëse të të rrokullisurit. Pavarësisht nga kjo e veçanërisht nga kjo kuptohet se fundi i një dekade është teorikisht dhe praktikisht i ardhur. Ndryshe nuk mund të shpjegohet se pse sot, më shumë se kurrë, duam politikën për vend pune, duam politikën për të ruajtur biznesin, duam politikën për të marrë diploma...shajmë, fyejmë e fyhemi për politikë... gëzohemi në çmenduri pa ditur çka thënë populli me votë... ose flasim pa pasur asnjë përgjegjësi as para vetes, as para dëgjuesve, as para drejtësisë e as para etikës (politike) të asaj që themi. Ky është një stad rrokullisjeje i politikës së vjetër bashkë me kulturën e saj. Në të njëjtën kohë është stadi kur në mijëvjeçarin e ri historik të saj Shqipëria do të shprehë gjithë atë kulturë e dije që bijtë/e bijat e saj akumuluan brenda e jashtë vendit në gjithë këto vite....Kjo nuk është hera e parë që ndodh, do jetë e dyta (në kohëra moderne) pas 1912-ës. Dhe për ironinë ose alegorinë e kulturës politike e gjithë kjo shprehet në fjalët e Migjenit që thotë: Na të birtë e shekullit të ri që plakun e lamë n‘shejtnin e tij...