“Policia dhe KFOR-i vepruan pas akteve kriminale të disa qytetarëve serbë për pushtimin e institucioneve”

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se veprimet e policisë ndërkombëtare dhe të forcave paqeruajtëse më 17 mars të këtij viti në veri të Mitrovicës ishin të ligjshme. Zëvendës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, i tha BBC-së se veprimet e policisë dhe KFOR-it pasuan veprimet kriminale të disa qytetarëve serbë për pushtimin e institucioneve. Zoti Kuqi tha se veprimi i forcave paqeruajtëse ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe vendore për mbrojtjen e institucioneve të Kosovës. "Ky nuk është inkurajim për ata që dëshirojnë ta shkelin ligjin dhe nuk është dekurajim për ata që duan ta mbrojnë ligjin," tha ai duke iu referuar veprimeve të forcave të ruajtjes së rendit”,- tha ai. "Në Kosovë duhet të dominojë logjika e mbrojtjes së rendit dhe ligjit, e mbrojtjes së institucioneve, integritetit dhe të pasurisë," tha Kuqi. Këshilli i Sigurimit është njoftuar mbrëmë me raportin e grupit hetues ndërkombëtar për arsyeshmërinë e veprimit të forcave paqeruajtëse në zhbllokimin e ndërtesës së Gjykatës në veri të Mitrovicës, më 17 mars të këtij viti, nga një grup protestuesish serbë. Raporti kritikon veprimin e policisë ndërkombëtare, por thotë se ai ishte kryer në kuadër të mandatit të tyre. Një polic ndërkombëtar u vra dhe dhjetëra të tjerë u lënduan pas aksionit për vënien nën kontroll të ndërtesës. Këshilli i Sigurimit ka shfaqur dallime të thella mes anëtarëve të tij, pasi Rusia ka deklaruar se aksioni ishte veprim i paligjshëm. Serbët e Kosovës ndërkaq thonë se besimi i tyre në UNMIK-un ka filluar të zbehet pas aksioneve të këtilla duke akuzuar, siç thonë, "terroristët shqiptarë" për përpjekje të shpërnguljes së tyre nga Kosova.