andiNga Bledi Mane-Public Enemy


fb.com/bledi.mane


instagram.com/bledimane


1./ Rrallë herë mund ta dëgjosh por nëse ta uron njeri ndjehesh i vlerësur. “Paç fatin e Andi Bushatit”! është një lloj instalacioni oral në formë bekimi që e pëshpërit komuniteti i gazetarëve veçanërisht në Tiranë e nëse ta përplasin në fytyrë apo në telefon nuk ka arsye të mërzitet as emërpërmendësi e as ti që mundohesh ta kesh si aureolë.


Andi Bushati ka një lloj konseguence permanente në profesionin e tij si gazetar. Talenti dhe sqima e tij prej profesionisti pavarësisht se herë-herë pengohen nga oratoria e tij prej breshke sërish e qëndisin bukur mendimin e nxjerrë në formë zanore apo të shkruari.


Andi ka lindur me nafakë edhe andej edhe këtej kufirit kohor. Nip blloku i bllokuar nga bollëku i profiteve të gjyshit deri në fund të viteve ’80 nuk e çante shumë kokën për lirinë e shtypit apo shtypin e lirisë. Me rrëzimin e regjimit komunist ngriti talentin dhe nuhatjen e tij gazetareske. Megjithëse presidenti brutal Berisha i deklaruar armik i fjalës së lirë kishte porosi të veçantë për nipin e shokut Hysni Kapo, lideri komunist që i kishte hapur derën doktor Berishës. Si mik familjeje, Berisha e kapërdinte me sëkëlldi opozitarizmin që gazetari i ri Bushati i bënte qeverisjes taze të re. Pavarësisht se Berisha me gazidedasit e tij rrahu, vrau, përcëlloi, anatemoi, përvëloi ata pak gazetarë të lirë deri në vitin 1997, por prej prudencës së Andi Bushatit i ra qylit pa ngrën dajak apo plumb bythëve edhe miku i tij Blendi Fevziu.


Largimi i Berishës nga pushteti afroi klanin e Klanit të Sandër Frangajt me socialistët e rinj dhe bashkë me Sandrin, Andin, Blendin, Benin, Armandin edhe Andi jo vetëm Bejtja por edhe Bushati ia ndjeu lezetin të bërit gazetari. Tek-tuk me shpërthime dhe opozitë rozë ndaj qeverisjes rozë klani i Klanit të Sandrit e nisi me revistën Klan dhe fundpushteti i Fatos Nanos më 2005 i gjeti me Klanin televizion kombëtar…


Dhe më pas historia dihet. Bythë e brekë me demokratët e Berishës, bythë e brekë me Edi Ramën edhe ministër kulture edhe kryebashkiak, opozitë elegante ndaj pushteteve lokale e qëndrore, realizim ëndrrash, dëshirash, llokma, tendera, infuleca.


Kësaj here Andi Bushati bashkë me talentin dhe diletantizmin e kamufluar nuk u pa kurrë në llogoren e parë të qokave të klanit të Klanit të Sandrit por rehatia në gazetari i vazhdoi gjatë.


Opozitë Berishës, tek-tuk ndonjë përgojim gjyshërish si resto.


Opozitë Nanos, tek-tuk ndonjë batutë shpotitëse si resto.


Opozitë Ramës, tek-tuk ndonjë telefonatë ose drekë e nervozuar pune…


Dhe mbaj mend kur prej vitit 2009 redaksia e gazetës TemA, botuesi i saj Baze dhe ne gazetarët e paktë ishin në pole position kundër regjimit brutal të Berishës, flinim me frikën e hakmarrjes dhe zgjoheshim me hakmarrjen e pushtetit. Dhunë, diegie makinash, rrahje, ndërprerje energji elektrike, sekuestrim shtypshkronje, thyerje dhëmbësh, ndjekje, presione, gjyqe, gjoba, kanibalizëm pushteti aq sa personalisht u detyrova të shpërngulesha në Përmet e të opozitaroja prej andej. Por edhe atje Berisha dërgoi sejmenin e tij Mit’hat prej Havari të vazhdonte me dajakun e pushtetit.


Teksa bëj një retro të shpejtë më rezulton se kur digjej gazeta “Koha Jonë” Andi Bushati ngrohej.


Kur dhunoheshin gazetarët Andi Bushati i ngushëllonte.


Kur burgosej Sandër Frangaj dhe Martin Leka, Andi Bushati u dërgonte letra në burg.


Kur gjobitej Top Channel, Andi Bushati kqyrte i dëshpëruar.


Kur dhunohej botuesi Mero Baze, Andi Bushati rastiste aty i paprekur.


Kur sekuestrohej redaksia dhe shtypshkronja e gazetës TemA, Andi Bushati paguhej rregullisht pa ndërprerje si gazetar.


Kur Andi Bushati vazhdon të sulmojë ashpër koalicionin Rama-Meta edhe te ‘Opinioni” i Fevzos së klanit të Klanit të Sandrit edhe te lapsipikëkom, honorarpaguesi i tij Sandër Frangaj shpërblehet si gjithmonë por kësaj here me toka dhe leje ndërtimesh në Golem. Paksa larg Tiranës por pak rëndësi ka. Andi e bën mut qeverinë, qeveria na bën mutin ne taksapaguesve. Prandaj e kam ëndërr të mbyllur në sirtar dëshirën që më le pa gjumë qysh prej vitit 1991. Kur të rritem dua të bëhem gazetar e të punoj për Sandrin. Për Sandër Frangaj që ka shok Samir Manen, Ardian Fullanin, Blendi Fevziun, Edi Ramën…