Tiranë- Moszbardhja e vendimeve në gjykata vazhdon të jetë një problem madhor për palët në konfliktin gjyqësor. Edhe pse ka afate për këtë gjë, gjykatat vonojnë me muaj të zbardhin dhe vënë në dispozicion vendimin arsyetuar. Një çështje e ngritur nga juristi Thimio Kondi, ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë një vendimi të Gjykatës së Lartë, për mospranimin e një rekursi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese jepet duke marrë shkas nga kazusi i shtetasit Eliano Canko, ish oficer policie në komisariatin e Rinasit dhe i proceduar gjatë operacionit të famshëm Go west, më shumë se shtatë vjet më parë. Ish oficeri i policisë u dënua nga Gjykata e Apelit dhe vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë ndërkohë që avokati i tij mbrojtës, ish kryetari i gjykatës së lartë Thimio Kondi, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas avokatit, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda nuk ka respektuar ligjet në fuqi që sanksionojnë detyrimin e kësaj gjykate për të arsyetuar vendimin dhe më tej avokati, kur i është drejtuar kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, kjo e fundit nuk e ka pranuar rekursin sepse rekursi i tij nuk ishte i argumentuar.
Gjykata Kushtetuese thekson domosdoshmërinë e arsyetimit të vendimit gjyqësor si një garanci për procesin e rregullt ligjor. Vendimi duhet të mbështetet vetëm mbi faktet që janë paraqitur gjatë procesit gjyqësor dhe duhet të përmbajë bazën ligjore mbi të cilën bazohet cështja. Gjyqtari duhet të shpjegojë arsyet e vendimeve të tij, duke iu referuar fakteve për të cilat është zhvilluar procesi, ligjeve të zbatueshme dhe kërkesave të ndryshme te palëve.
Gjykata Kushtetuese vijon më tej se nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se në seancën e datës 9 Korrik 2010, Gjykata e Apelit për krime të rënda ka lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, por nuk rezulton se kur është zbardhur vendimi i arsyetuar me numër 41 datë 7 korrik 2010. Një muaj më pas më, 9 gusht 2010 avokati mbrëjotës i kërkuesit ka paraqitur rekurs më qëllim që të ishte brenda aftit një mujor të ankimit dhe, meqë deri në atë datë nuk ishte zbardhur akoma arsyetimi i vendimit de quo, ka rezervuar të drejtën e paraqitjes së shkaqeve të plota të ankimit në një moment të dytë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë nuk e ka pranuar rekursin, pasi nuk përmban arsyetimin e plotë.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj rithekson se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, para se të vendosë mospranimin e rekursit, duhet të verifikojë nëse sekretaria gjyqësore ka zbatuar detyrimin ligjor për vënien në dijeni të të pandehurit, për të plotësuar rekursin. Të njëjtin detyrim kanë përcaktuar Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në datën 15.09.2009. Për këtë arsye, Gjykata çmon se i dilte si detyrë Kolegjit Seleksionues të Gjykatës së Lartë të verifikonte se përse nuk ishin paraqitur shkaqet nga ana e kërkuesit, sidomos kur provohet shkresërisht se ai kishte paraqitur rekurs për zënien e afatit.
Rastet e afateve
Në shumicën e rasteve, gjykatat shqiptare lexojnë vetëm dispoztivin dhe jo vendimin e plotë që shpallet për të pandehurin. Çka do të thotë se trupa gjyqësore lexon vetëm gjeneralitetet e të pandehurit, akuzën ndaj tij si dhe masën e denimit që i jepet. Në shumë raste, sikurse është edhe rasti më i fundit i çështjers Gërdeci, duke qene së gjykata nuk e zbardh vendimin, palët i drejtohen gjykatës së shkallës më të lartë referuar vetëm dispozitivit, duke bërë një marrëveshje të heshtur me gjykatën që argumenti i ankimimit do të jetë më i detajuar sapo vendimi të jetë zbardhur. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dosjen Gërdeci. Avokatët e apeluan çështjen me të njëjtat argumente që ata bënë edhe mbrojtjen në shkallën e parë, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe prokuroria e cila i qëndron akuzave të saj dhe dënimeve që ka kërkuar me të njëjtin argument. Nga ana e tjetër vendimi akoma nuk është zbardhur, në mënyrë që palët të bëjnë apelim mbi fakte dhe jo de fakto.
Shkrime të tjera me interes:
- “Hakmarrja për Drejtësi”, Kushtetuesja rrëzon vendimin e Gjykatës së Lartë Tiranë- Vendimi i Gjykatës së Lartë në lidhje me çështjen...
- Ndarja e kopetencave, Topi- Topalli në Kushtetuese Tiranë- Presidenti Bamir Topi dhe përfaqësuesit e Kuvendit janë përballur...
- Spahiu: Drejtësia nën presion dhe sulm, Kushtetuesja të ndërhyjë Tiranë- Një presion dhe sulm ndaj drejtësisë është cilësuar, nga...