Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi disa ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë. Të gjithë u morën me reformën zgjedhore dhe askush nuk i kushtoi rëndësi ndryshimit të një neni të Kushtetutës, i cili rrit kompetencat e Kryeministrit të vendit. Kryeministri aktual, zoti Sali Berisha, me ndryshimet e djeshme të Kushtetutës që u miratuan, mund të vazhdojë të jetë Kryeministër, deputetët le të zgjidhen nga e para.



Të hënën në mbrëmje, Kuvendi i Shqipërisë votoi ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë. Një ndër nenet interesante ishte edhe ndryshimi në kompetencat e Kryeministrit. Neni 104 i Kushtetutës është ndryshuar. Deri pardje në mbrëmje, ky nen i jepte të drejtë Kuvendit të zgjidhte një Kryeministër të ri, në rast mocioni besimi, të paraqitur nga Kryeministri i vendit. Konkretisht, neni 104 (varianti i vjetër) i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ishte:



"Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri, refuzohet nga shumica e gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi brenda 15 ditësh zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri".



Pra, me pak fjalë, nuk parashikonte shpërndarjen e Kuvendit të Shqipërisë, por ndërron Kryeministri.



Me ndryshimet e ditës së hënë, të cilat u miratuan nga shumica e deputetëve në sallë, nuk bie Kryeministri, por Kuvendi, nëse Kuvendi nuk ka besim te Kryeministri.



Ja ç‘thotë neni që u miratua të hënën:



"Kryeministri ka të drejtë t‘i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave dhe në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit".



Edhe pse e çuditshme, nuk na duket e padëgjuar më parë. Nëse kërkon në dokumentet zyrtare të shtetit tonë, në "Statutin themeltar të mbretërisë shqiptare", që i përket vitit 1928 ose në Kushtetutën e monarkisë shqiptare, siç mund ta quajmë ndryshe, këtë nen të ri e gjejmë, por jo kaq egër.



Në nenin nr. 95 të "Statutit themeltar të mbretërisë shqiptare" thuhet:



"Mbreti, kur e sheh të nevojshme, ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin. Dekreti i shpërndarjes duhet të jetë i nënshkruar prej kabinetit".



Pra, edhe në kohën e Ahmet Zogut, ishte e parashikuar që Kryeministri ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin, pasi merrte miratimin e anëtarëve të kabinetit. Madje, edhe modelin për ndryshimet në Kushtetutë, zoti Berisha deklaroi haptas se e ka marrë nga një monarki. Ai deklaroi në Parlament se si shembull për ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë janë marrë nga Kushtetuta e Spanjës.



Hapëm Kushtetutën spanjolle dhe gjetëm tre nene; nenin 113, 114, 115, që parashikojnë mocionet dhe nuk janë tamam sikurse thotë z. Berisha për ndryshimet në Kushtetutë, por mbi të gjitha, mbreti ka një rol shumë të madh në mbajtjen e stabilitetit gjatë kalimit nga një Kryeministër te tjetri. Nëse hulumton më shumë mes dokumenteve, gjen se një nen i tillë, që rrit kompetencat e zotit Berisha ka qenë në projektin e Kushtetutës, që u rrëzua me referendum, më 4 nëntor 1994. Neni 84, pika 9 e këtij projekti shënon:



"Me propozim ose kundërfirmë të Kryeministrit dhe, pasi merr mendimin e kryetarit të Parlamentit (Presidenti) mund të shpërndajë Parlamentin para mbarimit të legjislaturës".



Të gjithë e kujtojmë atë periudhë, kur u diskutua që të forcoheshin pikërisht pozitat e zotit Berisha. Të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë le të zgjidhen nga e para, zoti Berisha vazhdon të jetë Kryeministër.







Kushtetuta





Neni 104 para ndryshimit



Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi brenda 15 ditësh zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast, Presidenti emëron Kryeministrin e ri





Neni 104 i ndryshuar



Kryeministri ka të drejtë t‘i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave dhe, në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, Kryeministri i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit





Akti nr. 95 i "Statutit themeltar të mbretërisë shqiptare"



Mbreti, kur e sheh të nevojshme, ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin. Dekreti i shpërndarjes duhet të jetë i nënshkruar prej kabinetit





Neni 84, pika 9 e Projektkushtetutës të rrëzuar në referendumin e 4 nëntorit 1994



Me propozim ose kundërfirmë të Kryeministrit dhe, pasi merr mendimin e Kryetarit të Parlamentit (Presidenti) mund të shpërndajë Parlamentin para mbarimit të legjislaturës