Shkrimi “Lufta partizane, një vështrim nga sot”, të autorit Lekë Tasi, botuar dje në “Shekulli”, është një përpjekje e dëshpëruar e autorit për të hedhur baltë mbi luftën Nacional Çlirimtare, e cila ka hyrë tashmë në fondin e artë të traditës historike të shqiptarëve, pasi ajo çoi në rivendosjen e pavarësisë kombëtare të shpallur në vitin 1912 e të mohuar e të shkelur më 7 prill 1939.


Problemet që ngre autori nuk ia vlen të diskutohen, pasi ato janë fantazira të tij, të ndërtuara jashtë kontekstit historik, jashtë realitetit, që përjetoi vendi në vitet e luftës së Dytë Botërore. Autori ka zgjedhur ditën e çlirimit për të bërë shou për të hedhur në treg pikëpamjet e tij konfuze e tendencioze.


Historiografia ka nevojë për një mendim të pjekur, objektiv, të mbështetur në dokumente e në logjikën historike dhe jo për mendime tendencioze dhe aq më pak me fantazira që nuk përkojnë me realitetin historik. Lufta ka gjetur, tashmë, vlerësimin e merituar në historiografinë shqiptare. Atë e kanë vlerësuar gjithë popujt e vende që i kontribuon fitores mbi fashizmin dhe në radhë të parë aleatët e mëdhenj, që e udhëhoqën këtë luftë. Madje, edhe forcat që iu kundërvunë luftës Nacional Çlirimtare, që tashmë i kanë kapërcyer remineshencat, tezat dhe vlerësimet e vjetra mbi luftën dhe po kërkojnë të gjejnë veten, pikërisht, në këtë luftë, pasi ajo i bën edhe sot nder Shqipërisë dhe qëndrimi ndaj saj është një gur prove, edhe për demokracinë, në themelet e së cilës qëndrojnë idealet e luftës.


Në këtë vështrim autori është krejtësisht jashtë kohës. Nuk e di nga frymëzohet për të parashtruar teza të tilla tendencioze dhe nihiliste, por një gjë është e sigurt, atij mesa duket i ka mbetur ora në vitin 1944.


Pyetjes që shtron autori, se a duhej marrë pjesë në luftë, do t’i përgjigjesha në mënyrë të prerë se lufta dhe sakrificat e saj ishin të domosdoshme dhe asnjë sakrificë e asnjë çmim nuk është i tepërt për lirinë e pavarësinë e vendit. Do apo nuk do autori, lufta është faqe e ndritur e historisë kombëtare, që i bën nder edhe sot Shqipërisë. Luftën nuk e bënë vetëm komunistët, por gjithë populli, të gjithë patriotët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet e tyre ideologjike.


Lufta, siç thamë, çoi në rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe kjo përbën një nga meritat e saj historike. Ajo, gjithashtu, na bashkoi me fitimtarët, me aleatët e koalicionit antifashist. Prandaj, ajo dhe protagonistët e saj përkujtohen dhe nderohen çdo vit nga mbarë populli shqiptar, nga gjithë forcat demokratike të vendit. Shkrime të tilla, si ai i zotit Tasi nuk mund të lëkundin bindjet dhe nderimin që ka populli për luftën dhe nuk mund të ndryshojë vlerësimet e merituara, që asaj i kanë bërë historiografia shqiptare dhe ajo botërore.


*Titulli i shkrimit është i redaksisë. Titulli në origjinal: “Përpjekje të dëshpëruara për të denigruar luftën Nacional Çlirimtare” / Replikë me shkrimin “Lufta partizane, një vështrim nga sot”, të autorit Lekë Tasi