Lëvizja Socialiste për Integrim ka thirrur Fatos Nanon që të bashkohet në koalicionin e saj opozitar. Kjo thirrje duket se i paraprin ndonjë aleance të re mes Ilir Metës dhe ish-kreut të PS-së duke qenë se i bashkon një kundërshtar i përbashkët brenda opozitës, Edi Rama. Prej disa muajsh, që kur Rama bashkoi votat e partisë së tij me mazhorancën për të bërë ndryshimet në Kushtetutë, kreu i LSI-së Ilir Meta nuk e ka përjashtuar një mundësi bashkëpunimi me Fatos Nanon, ndërkaq thirrja është bërë më e qartë dje nga ana e sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili . “Jam i hapur të bashkëpunoj më çdo faktor politik”, - është shprehur kreu i LSI-së, Ilir Meta, kur është pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. Nga ana tjetër, ftesa përsëritet në prag të fillimit të sesionit të ri parlamentar, në një kohë kur PS-ja refuzon të përgjigjet ndaj ftesave për negociata të LSI-së. Pasi ka marrë në gjirin e saj disa ish-eksponentë të PS-së, kjo parti i bën thirrje edhe ish-kryesocialistit Fatos Nano që t’u bashkohet partive opozitare nëse dëshiron që të largojë këtë mazhorancë. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se për sa i përket faktorit dhe rolit të ish-kryesocialistit Fatos Nano, ka vend në opozitë, nëse objektivi i tij është largimi i qeverisë së Berishës nga pushteti. I pyetur në lidhje me këtë çështje, Vasili deklaroi se opozita duhet të bashkohet duke përfshirë këtu edhe ish-kreun e PS-së. Madje ai gjeti rastin që të qortojë Nanon lidhur me krijimin e grupit të ri parlamentar, ku katër deputetë janë mbështetës të tij. “Të gjithë së bashku, kundër Sali Berishës, e në qoftë se duam të bëjmë këtë punë, nëse do të vazhdojnë ta bëjnë si deri tani pjesë të lidershipit të Partisë Socialiste, por edhe njerëzit e zotit Nano, atëherë të gjitha këto ndihmojnë Kryeministrin Berisha dhe nuk ia vështirësojnë qëndrimin në pushtet, por ia lehtësojnë”, - theksoi Vasili. Sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, opozita ka akoma kohë që të funksionojë si një e tërë, por me një kusht, që Partia Socialiste mos të bashkëpunojë me Berishën. “Brenda për brenda opozitës ka akoma një mundësi, ajo e bërjes së opozitës së fortë me Sali Berishën. Shpresoj që edhe Partia Socialiste më së fundi t’i largohet kompromiseve të paprincipta, që kanë karakterizuar deri tani aferën politike dhe të hyjë në një skenë opozitare të vërtetë”, - tha Vasili. Ndër të tjera ai vuri në dukje se “Partia Socialiste vazhdon të jetë në ato llogore të vjetra dhe për çuditërisht e gjen menjëherë gjuhën dhe mundësinë për të komunikuar me Berishën, edhe për të ndryshuar Kushtetutën, edhe për të miratuar leje gjigande ndërtimi, për të bërë kulla gjigande, për të zhdukur Liqenin Artificial, ku qytetarët kanë mundësi të çlodhen dhe të relaksohen dhe e ka më të vështirë të bashkëbisedojë, jo të bëjë kompromis, por të bashkëbisedojë për një çështje madhore, siç është Kodi Zgjedhor”.