Laguna e VilunitDosja


Harrohet Bardhok Pllanaj, personi që u fsheh te makina e Mark Frrokut


 


Skafi – Ngaqë nuk kishte marrë saktë koordinatat e lundrimit drejt Italisë, skafisti Leonidha ngeli në mes të detit me ngarkesën me lëndë narkotike


Komunikimi – Ervis Sulo, në komunikim me të, i kërkonte Leonidhës që të mos e hidhte ngarkesën me narkotikë në det, se ishte një vleftë e konsiderueshme leku


Largimi – Policia e pa skafin në det, midis lagunës së Vilunit dhe Portit të Shëngjinit, disa milje larg, por ai u largua me shpejtësi në ujërat detare të Malit të Zi dhe nuk u arrit të kapej


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim shtatë persona, të akuzuar se kanë tentuar të trafikojnë me skaf drejt Italisë 780 kilogramë kanabis, në lagunën e Vilunit, në bregun e Velipojës. Mes të pandehurve janë disa biznesmenë, por mungon Bardhok Pllanaj, personi që ishte fshehur në makinën e deputetit Mark Frroku. Prokuroria thotë zyrtarisht se ky person, që njihet edhe si ndërtues në Shkodër, po hetohet nga akuza dhe pritet ndalimi i tij. Akuza thotë se nën akuzë janë vënë: Mikel Hoxha alias Ermal Mehmeti, Indrit Rraja, Ervis Sulo, Leonidha Dhimojani (Robert Abazi), Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristian Çokaj. Ata akuzohen për trafik të narkotikëve. Nga hetimet rezultoi se më datë 30 shtator 2014, rreth orës 21:00, në vendin e quajtur Rana e Hedhun midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha. Pasi u nxorën nga deti, rezultuan shtatë të tilla. Ata kishin brenda paketime me mbështjellje natribani, gjithsej 80 të tilla. Pesha e tyre doli 210 kg. Të nesërmen, në orën 12:00 në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, në një distancë rreth katër milje detare nga bregu i detit, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera në ngjyrë të zezë. Pakot kishin peshën 594 kg. Në total u gjet gjithsej 780 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë që në darkë të datës 29.09.2014, për tu dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve është identifikuar si shtetas italian. Kjo, sasi lënda narkotike nuk është arritur të dërgohej në brigjet italiane (në vendin e destinacionit) ngaqë personat që ndodheshin në skaf nuk morën koordinata të sakta nga bashkëpunëtorët e tyre të ndodhur në territor shqiptar, për vendin ku do të zbarkohej sasia e narkotikut në territorin italian. Nga hetimet, sipas akuzës, rezultoi se sasia e lëndës narkotike të sekuestruar në kuadër të këtij procedimi është magazinuar në rrethinat e Shkodrës, nga të pandehurit Mikel Hoxha, Ervis Sulo, Indrit Rraja e Mirjan Vitaj. Këta persona, në bashkëpunim me të tjerë, janë takuar ditë para ngjarjes dhe janë marrë vesh për mënyrën e trafikimit të sasive të narkotikut drejt Italisë, dhe është vendosur të realizohej me mjet lundrues përmes detit. Njëri prej personave që drejtonte skafin u identifikua si Leonidha Dhimojani. Gjithashtu shoqërues të mallit në skaf, përveç skafistit Leonidha Dhimojani, do të ishte dhe shtetasi i identifikuar si M., i cili komunikonte me Leonidha Dhimojanin, në gjuhën italiane. Transporti lëndës narkotike në Itali, përmes detit, është realizuar prej Mikel Hoxhës, Ervis Sulos e Indrit Rrajës. Pagesa për sasinë e lëndës narkotike për trafikim është bërë nga Mikel Hoxha, Ervis Sulo, Indrit Rraja, dhe disa të tjerë, ndaj të cilave hetimet vazhdojnë. Sasia e drogës ishte transportuar me mjete në breg të detit në Velipojë, në pritje të skafit për ta ngarkuar e dërguar drejt Italisë. Në datë 28.09.2014, Leonidha u komunikonte bashkëpunëtorëve të vet se deti ishte i trazuar dhe nuk merrte përsipër që të ngarkohej skafi dhe të kryente lundrimin për në Itali. Kjo u bë në orët e darkës të datës 29.09.2014, kur të pandehurit Mikel Hoxha, Indrit Rraja dhe disa të tjerë, me ndihmën edhe të pandehurve Mirjan Vitaj, Kristian Çokaj, Alfred Sylit (nga Rrjolli i Velipojës), në vendin e quajtur Rrjoll (Velipojë) bënë të mundur që të ngarkonin sasinë e lëndës narkotike në skafin që drejtohej nga Leonidha Dhimojani, njëri prej skafistëve, dhe skafi të largohej nga bregu i detit më në brendësi të detit. Një ditë më pas, është bërë arrestimi i të pandehurve Mikel Hoxha, Ervis Sulo, Indrit Rraja, Leonidha Dhimojani, Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristian Cokaj, të cilët në fazën e hetimit paraprak mohuan akuzën, me përjashtim të të pandehurit Mikel Hoxha, i cili pranoi veprimet e kundërligjshme të ndërmarra prej tij, duke përjashtuar veprimet bashkëpunuese të të tjerëve.


Ky shkrim Laguna e Vilunit, shtatë nën akuzë, do të trafikonin 780 kg hashash u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.