Parlamenti i Valonisë, rajoni frankofon i Belgjikës, vendosi të heqë votimin elektronik për votimet lokale e rajonale të vitit 2018.


Pas Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, që i janë rikthyer votimit tradicional, ky i Valonisë duket se shënon edhe mbylljen e një debati të hapur prej vitesh rreth avantazheve dhe dobësive të këtij lloj votimi. Vendimi bën përshtypje gjithashtu edhe për faktin se Belgjika ka filluar votimin elektronik që në vitin 1991, në fillim në dy zona pilot.


Ai u zgjerua në 20 % të elektoratit ose me 1.4 milionë zgjedhës në zgjedhjet evropiane të vitit 1994. Disa zona nuk e kanë aplikuar atë asnjëherë, duke vazhduar atë tradicional me letër.


Me gjithë perfeksionin e teknologjisë, nga viti në vit, si dhe një përvoje mbi njëzetvjeçare, kjo mënyrë votimi është konsideruar gjithmonë e pasigurt. Këtë pasiguri e përforcuan edhe parregullsitë që ndodhën gjatë zgjedhjeve rajonale e të përgjithshme federale të vitit 2014.


Pati vonesë në shpalljen e rezultateve, probleme me disketat e lidhura me procesin e votimit, si dhe u anuluan 2 mijë vota.


Përveç problemeve teknike e të papritura, që mund të ndodhin, sado të avancuara qofshin kompjuterat e programet elektronike që zbatohen, e që duhen rinovuar vazhdimisht, ky lloj votimi ka vënë në provë edhe besimin e votuesve.


Siç shkruhet në shtypin belg, për këtë lloj votimi kërkon një besim tepër të madh, që njerëzit nuk e kanë zakonisht.


Pra, besim te teknologjia (ajo vetë nuk të gënjen), te kompania që ka krijuar dhe furnizuar makinën (kompjuterin) dhe logjicielin, besim te kompania që ka pranuar makinën, besim te minsitria e Brendshme, që ka angazhuar kompaninë, besim të lidhjet numerike dhe te rruga që bëjnë rezultatet nga votimi te shpallja e tyre e kështu me radhë.


Ky vendim i parlamentit valon merr parasysh një sërë problemesh e rrethanash, që lidhen me përvojën e zgjedhjeve në këtë rajon shumë të zhvilluar evropian.


Por ai është argumentuar me tre faktorë kryesorë : pamundësia e zgjedhësit për ta verifikuar nëse vota e tij merret parasysh (ky ishte motivi kryesor edhe për anulimin e votimit elektronik në Gjermani), cënohet sekreti i votës për ata që nuk e njohin elektronikën ose për të moshuarit që kanë vështirësi të votojnë në kompjutër, rreziku i bllokimit ose i defekteve gjatë procesit të votimit.


I fundit, dhe jo më pak e rëndësishëm për një vend si i yni : kostoja shumë e lartë e votimit elektronik në krahasim me atë tradicional. Kjo kosto në Belgjikë është 0.10 euro për votimin me letër dhe 1.37 euro për çdo votë elektronike.


 


 


Gjovalin Kola