Dinim se Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova kishte mbërritur në Uashington, i ftuar për të marrë pjesë, në festën amerikane të Ditës së Falenderimeve. Mes gazetarëve të Kosovës, në Televizionin Shqiptar, qarkullonte si thashethem, mundësia për një takim e Presidentit amerikan Bill Klinton me Rugovën. Të ishte dëshirë, apo e vërtetë? Nëse po, kjo ndodhte për herë të parë. Një sinjal i tillë do të ishte shpresë për shqiptarët dhe në mbrojtje të tyre. Po si të merrej lajmi që, Televizioni Shqiptar të ishte i pari në botë, që ta transmetonte, edhe më përpara se “Zëri i Amerikës” (Nëse?), nga që ne ishim gjashtë orë më herët?
E shtunë, 5 janar 1994. Ora 19.50. Për dhjetë minuta fillonin lajmet e orës 20.00. Gazetarët e Kosovës kishin dështuar. Nuk gjetën asnjë rrugë për të marrë lajmin. Ndjeheshin hem të mërzitur, hem përgjegjës. Atëherë i telefonova në zyrë shefit të “Zëri i Amerikës”, në gjuhën shqipe, Elez Biberaj.
-Zoti Elez, në Televizionin Shqiptar thuhet se Presidenti Klinton ka takuar Kryetarin Ibrahim Rugova. A është e vërtetë?
-Po, janë takuar, por unë nuk kam qenë aty. Lajmi po përgatitet nga kolegia e dërguar posaçërisht. Mund të flasësh vetë me të, - tha. U dëgjua zëri i Elezit tek i thirri asaj.
Ajo e foli në tërësi lajmin. Ashtu, të shkruar me dorë, mbi një fije letër, e zbrita shkallëve për në studio dhe, disa sekonda përpara se të lëshohej sigla, ia vura mbi tavolinë folësit që kishte radhën. Natyrisht, me të u hapën lajmet e asaj mbrëmjeje.
Takimi ishte kryer në hotel “Hilton”, të Uashingtonit. Presidenti Klinton theksoi angazhimin e SHBA për një politikë parandaluese në Kosovë, u shpreh se njeh problemet e Kosovës dhe se ishte i shqetësuar për gjendjen e rëndë që zotëronte atje.
Më 10 shkurt, pas kthimit nga SHBA, Rugova u ftua për intervistë të drejtpërdrejtë në studio. Ai, ndër të tjera, theksoi që, “Mund të themi se SHBA dhe Departamenti i Shtetit e përcjellin mjaft mirë situatën në Kosovë”, “Qëndrimi pozitiv i SHBA shprehet në predispozicionin pozitiv për të ndihmuar Kosovën”, “ ndihmën politike që do t’i jepet Kosovës në të ardhmen”.
SHBA udhëhoqi edhe fitoi luftën për Kosovën. Presidenti Klinton bëri atë që tha: ”… ju nuk jeni as të harruar, as të braktisur”!

...