Lazer Stani publikoi sot në profilin e tij në Facebook, vendimin, me të cilin ai u detyrua të largohej nga puna, me motivacionin se është fejuar me Luljeta Lleshanakun, mbesën e armiqve të betuar të popullit dhe të partisë. Sekretariati I Komitetit Qëndror të BRSSH-së në mbledhjen e tij të datës 8.10.1990 vendosi: Të largohet nga detyra e redaktorit pranë redaksisë së gazetës Zëri I Rinisë, Lazër Stani, me këtë motivacion:


Për oportunitet politik, të cilin e ka shfaqur me fejesën e tij me Luljeta Lleshanakun, mbesën e armiqve të betuar të popullit e partisë, Abaz Kupi dhe Alush Lleshanaku, dhe ta vërë në dispozicion të Komitetit Ekzekutiv të KP të rajonit nr 4 Tiranë, thuhet në proccesverbalin e vendimit të bërë public nga shkrimtari Stani.


Nga perspektiva e sotme, duket e paimagjinueshëm, që një vendim i tillë, të jetë nënshkruar vetëm pak orë para rënies së komunizmit, por ja që faktet e dëshmojnë një gjë të tillë. Ky vendim, i nënshkruar nga Lisen Bashkurti – në grahmat e fundit të diktaturës komuniste, tregon më së miri forcën tërbuese të këtij regjimi të çmendur.


Në fakt, shoqëria shqiptare, deri me tani, asgjë nuk ka mësuar nga e kaluara. Ajo ende lëngon nga plagë te saj, ndërkohë që figurat që dhunuan liritë e tjerëve dhe i shërbyen të keqes, vazhdojnë të jenë në pozicione të forta publike, shkruan Ndue Ukaj kritik I librit nga Kosova. Sipas tij, ky është krim i dyfishtë, ndaj atyre të cilëve u bënë keq, por më shumë ndaj të ardhmes së shqiptarëve. Komunistët shqiptarë, asnjëherë nuk janë rrëfyer përpara historisë për krimet makabre që kanë bërë kundër shqiptarëve.


Përkundrazi, ata kanë tentuar të retushojnë të kaluarën e tyre të pistë, dhe të shtiren si demokratë e liberalë. Publiku i gjerë, si dikur në Athinë, më shumë iu ka besuar atyre që kanë folë rreth tregimit për gomarin, sesa atyre që kanë folë për liri të njëmend, të vërtetat politike, historike dhe kulturore. A mund të mësojmë gjë nga ky rast? Lazër Stani dhe Luljeta Lleshanaku, janë dy shkrimtarë përfaqësues të letërsisë shqipe, të përkorë dhe të shkëlqyeshëm në punën e tyre letrare. Rasti i tyre, edhe njëherë na tregon sa e madhe ishte urrejtja e komunistëve shqiptarë ndaj tjerëve që sishin si ta. Dhe po ashtu, na tregon sa pak mund të presim nga mbetjet e tij, thotë Ukaj. Sipas tij, shqiptarët, deri me tani kanë qenë nxënës të këqij të historisë, sepse nuk kanë mësuar asgjë nga ajo.


Shqiptarët e kudondodhur sot janë përpara një krize të thellë morale, kulturore e politike, prandaj duhet të rrëfehen përpara historisë, në mënyrë që breznisë që vjen mos ti lënë kaq shumë urrejtje dhe kaq pak dashuri. Dihet, pa u çliruar nga e keqja, nuk ka liri të njëmend, progres dhe mirëqenie. Si pasojë e paaftësisë dhe pazotësisë për tu çliruar nga e keqja, shqiptarët vazhdojnë të qeverisen dhe të përfaqësohen nga ata që mbrojnë doktrinat neosmane dhe neokomuniste. Natyrisht, si kameleonë që janë, në kohën sotme, ata janë mveshur me petkun e demokracisë dhe të vlerave perëndimore, thotë Ukaj.



























5 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)