Leçe (Start)- Ekipi simpatik i Leçes arriti të marrë një barazim të vlefshëm me Milanin në minutat shtesë të takimit. Një gol i shënuar nga Espozito në minutën e 90’+2 të takimit, mjafton për të rrëzuar nga kreu i renditjes skuadrën e Milanit.



Kuqezinjtë e dominuan tërësisht takimin, duke humbur një mori rastesh me Borrielon, i cili kohët e fundit nuk po kalon një formë të mirë, dhe me “Topin e Artë”, Kakanë.



Që nga fillimi i takimit Milani dominoi lojën duke kërkuar avantazhin me ngulm. Golin kuqezinjtë do ta arrinin vetëm në minutën e 78’ me Ronaldinjon. Ky gol për brazilianin është i pari jashtë “San Siros”.



Përgjumja e kuqezinjve u shfrytëzua nga lojtarët e Leçes mjaft mirë në minutat shtesë të takimit. Goli i Espozitos do të binte si rrufe në kokën e Ançelotit, i cili duhet ta merrte patjetër këtë fitore për të ruajtur kreun.



Barazimi me Leçen e ul Milanin nga vendi parë, duke ia lëshuar Interit, dhe duke u barazuar nga Napoli me 23 pikë.