Leka Zogu, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka kundërshtuar dje kërkesat e OMONIA-s. Zëdhënësja e Leka Zogut, Julinda Kamberi, ka bërë me dije se kërkesat e OMONIA-s janë fyerje për kombin shqiptar. Sipas komunikatës për shtyp, Greqia duhet të zgjidhë çështjen çame dhe nuk duhet të dëgjojë qëndrimet shoviniste të shoqatës OMONIA. "Kjo shoqatë duhet të kryejë rolin e saj si një organizatë kulturore dhe nuk duhet të mbajë një qëndrim të tillë shovinist ndaj Shqipërisë", thotë Kamberi. Leka Zogu kërkon që Shqipëria dhe Greqia të ruajnë marrëdhëniet reciproke me njëra-tjetrën dhe të kritikojnë deklaratat e OMONIA-s.
Reagimi i familjes mbretërore erdhi menjëherë pas lajmit sipas të cilit OMONIA i kërkuar Parlamentit grek nëpërmjet një letre, që të mos e ratifikojë MSA-në me Shqipërinë nëse Jugu i saj nuk shpallet zonë minoritare. Leka Zogu shprehet për vazhdimin e politikave të fqinjësisë së mirë me Greqinë, në përputhje me standardet e BE-së dhe politikat integruese, por mbi bazën e reciprocitetit në marrëdhëniet ndërshtetërore.