Komisioni Parlamentar i Medias


Arsimi parauniversitar është laik, përveçse në shkollat private ku zhvillohen edhe lëndë fetare. Kjo përmbajtje e nenit 7 të ligjit për arsimin parauniversitar u bë dje objekt diskutimesh në Komisionin Parlamentar të Medias. Deputetët maxhorancës dhe të opozitës kanë pasur të njëjtin qëndrim. Ata kanë kërkuar që në këtë nen të thuhet vetëm që arsimi është laik, pasi pjesa tjetër e shtuar do të linte shteg për abuzime. Zv.ministri Halit Shamata tha se lëndët fetare do të jenë me zgjedhje. Sipas tij, shtimi i tyre nuk i humbet laicitetin shkollës. Arsimi parauniversitar është laik, përveçse në shkollat private, ku përveç lëndëve bazë, kurrikulës, zhvillohen edhe lëndë fetare. Ky është realiteti, tha Shamata.

Deputeti i PD, Gerti Bogdani, u shpreh se nëse një nxënës do të marrë formim teologjik, mund të marrë lëndët me zgjedhje. Por ky grup lëndësh me zgjedhje nuk është pjesë e sistemit të arsimit parauniversitar në tërësi. Propozimi im është që arsimi parauniversitar është laik dhe nëse duhet pastaj, le të vëmë një pikë tjetër sqaruese në ligj, tha Bogdani. Deputetja e PS-së, Paulina Hoxha, tha se në dëftesat e arsimit parauniversitar nuk pasqyrohen lëndët fetare, ndaj do të ishte më e drejtë që përcaktimi për arsimin parauniversitar të jetë thjesht laik. Unë marr në konsideratë një shkollë në Shkodër, e cila, përveç fëmijëve katolikë, ka edhe fëmijë të besimit mysliman dhe të besimit ortodoks, dhe lënda fetare është me zgjedhje, nuk është e detyrueshme, tha Hoxha. Mark Marku, nënkryetar i Komisionit të Arsimit dhe Medias, theksoi gjithashtu se mund të ketë abuzime, pasi të gjitha shkollat private mund të fusin lëndë fetare dhe në këtë rast problemi është te nxënësit. Kështu që unë mendoj që ne ta lëmë të qartë këtë, që arsimi parauniversitar është laik, në mënyrë që të mos dëmtojmë dhe institucionet fetare. Të përcaktojmë me një nen të posaçëm se si rregullohen shkollat fetare. Tani të shikojmë se si rregullohet kjo në vendet europiane, që nuk janë unifetare, multifetare, multikulturore dhe nuk ka asnjë problem, tha Marku.


Miratimi

Ligji për arsimin parauniversitar po diskutohet nen për nen në Komisionin Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Deri tani janë miratuar 20 prej tyre. Ky projektligj ka qenë një nga më të debatuarit nga të gjitha grupet e interesit që prej më shumë se dy muajsh. Me hyrjen e tij në zbatim i gjithë sistemi do të ketë ndryshime si në kurrikula, ashtu edhe në skemën financiare.


Diskutimet

Paulina Hoxha, PS: Unë marr në konsideratë një shkollë në Shkodër, e cila, përveç fëmijëve katolikë, ka edhe fëmijë të besimit mysliman dhe të besimit ortodoks, dhe lënda fetare është me zgjedhje, nuk është e detyrueshme. Ndaj për mua, më e drejtë, me e mirë, mbetet kjo, që arsimi parauniversitar është laik.


Halit Shamata, zv.ministër në MASH: Arsimi parauniversitar është laik, përveçse në shkollat private, ku përveç lëndëve bazë, kurrikulës, zhvillohen edhe lëndë fetare. Ky është realiteti. Po të doni këtë, që përveçse lëndëve bazë laike, të zhvillohen edhe lëndë fetare.


Gerti Bogdani, PD: Propozimi im është që arsimi parauniversitar është laik, dhe nëse duhet pastaj, le të vëmë një pikë tjetër sqaruese në ligj. Nëse dua të marr formimin tim teologjik, shumë mirë, marr lëndët me zgjedhje, por lënda me zgjedhje në këtë rast nuk është pjesë e sistemit të arsimit parauniversitar në tërësi.


Mark Marku, PD: Mund të ketë një abuzim, që të gjitha shkollat private mund të fusin lëndë fetare, dhe në këtë rast problemi është te nxënësit. Kështu që unë mendoj që ne ta lëmë të qartë këtë, që arsimi parauniversitar është laik, në mënyrë që të mos dëmtojmë dhe institucionet fetare. Ta përcaktojmë me një nen të posaçëm se si rregullohen shkollat fetare.