Liberalizimi i vizave do të jetë një mundësi shtesë për qytetarët e Kosovës, e në veçanti për bizneset që të shtojnë kontaktet dhe rrisin volumin e bashkëpunimit me kompanitë e shteteve evropiane, si rrjedhojë edhe të zhvillimit ekonomik, ka thënë zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, gjatë takimit me drejtuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK).

Ai ka theksuar se ka një disponim shumë pozitiv të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që edhe qytetarët e Kosovës të jenë përftues.

"Besoj se kjo do të ndodh shpejtë, meqë ka një disponim pozitiv", ka thënë Wieland.

Ai premtoi se do të jetë përkrahës i mëtejmë i shtetit të Kosovës për të arritur nivelin e standardit në të gjitha fushat e nevojshme.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, Albert Matoshi, foli për aktivitetet e Odës në bashkëpunim me anëtarësinë, duke theksuar se roli kyç i organizatës është përkrahja dhe mbrojtja e interesave të anëtarësisë.

"Qëllim tjetër kemi thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me ekonominë gjermane dhe me investitorët potencial që planifikojnë të investojnë në Kosovë", tha Matoshi.

Gjatë këtij, Olaf Steinhilb, ekspert i fushës se aviacionit civil dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë "Germanwings", i informoi mysafirët mbi situatën aktuale në fushën e aviacionit dhe problemet me të cilat ballafaqohen operatorët aktualë.

Ai tha se ka shumë hapësirë për përmirësim të situatës në këtë fushë dhe kjo duhet të bëhet, veçmas, kur kihet parasysh konkurrenca e fortë rajonale, në mënyrë që Kosova të përfitojë sa më shumë.