Të paktën 6 persona kanë mbetur të vrarë gjatë ditës së enjte në Bengasi të Libisë, si pasojë e përleshjeve ndërmjet manifestuesve dhe policisë.


Lajmi është bërë i ditur nga televizioni Al Jazira që citon burime nga radhët e dëshmitarëve okularë. Ndërkaq lajmi është konfirmuar edhe nga faqa e internetit e opozitës, me bazë jashtë vendit. Përvec të vdekurve, raportohet nga të njëjtat burime se janë plagosur rreth 35 persona të tjerë.

 


Nga ana tjeter disa qindra mbështetës të udhëheqësit libian, Muhamer Gadafi, janë mbledhur në Tripoli në shenjë kundërshtimi ndaj protestave anti-qeveritare. Përmes thirrjeve në internet kundërshtarët e regjimit të Gadafit kanë kërkuar organizimin e "Ditës së Zemërimit", e frymëzuar nga protestat në Egjipt e Tunizi, që çuan në rrëzimin e regjimeve përkatëse.


Ndërsa organizata Human Rights Watch ka njoftuar se autoritetet libiane kanë arrestuar 14 aktivistë, shkrimtarë e protestues, që sipas tyre janë marrë me përgatitjen e protestave. Sipas mediave libiane, raportohet se dy të rinj janë vrarë gjatë protestave të së mërkurës në qytetin e Al Baidas.