Bojkotohet pa afat mësimi në liceun artistik “Jordan Misja” në kryeqytet. Vendimi është marrë dje nga 200 arsimtarët e kësaj shkolle, të cilët kanë dy muaj pa marrë pagat.

Rreth 200 mësues të liceut artistik “Jordan Misja” në kryeqytet kanë bojkotuar ditën e djeshme mësimin. Shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e tyre është bërë mosmarrja e pagës prej 2 muajsh. Megjithëse mësuesit e kësaj shkolle nuk kanë një përgjigje zyrtare se pse është shkaktuar ky problem, ata deklarojnë se nuk do të hyjnë në mësim pa marrë rrogat e vonuara. Shumë prej mësuesve të Liceut bëjnë përgjegjës ish-drejtorin e shkollës për vonesën e pagave. Sipas tyre, drejtori i mëparshëm i Liceut ka shpërdoruar fondin e shkollës, madje edhe atë të pagave. Këtë abuzim, të kryer sipas arsimtarëve nga ish-drejtori i shkollës, ky i fundit e ka bërë pasi duke qenë se Liceu është institucion arsimor kombëtar ka të drejtë të vetëmenaxhojë financën. Pranë liceut artistik “Jordan Misja” në kryeqytet janë të emëruar rreth 200 mësues. Të gjithë me një vendim unanim kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në formë proteste, derisa Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit të japin një zgjidhje për problemin e pagave të pamarra.







16 Dhjetor 2008