Londër, 6 shtator 2011, NOA Britania e Madhe rithekson përkushtimin e saj në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke deklaruar prerë se diskutimet rreth ndarjes së Kosovës janë të papranueshme dhe të rrezikshme.

Këtë koment e bëri sot ministri për Evropën në Mbretërinë e Bashkuar, Dejvid Lidington gjatë takimit në kryeqytetin britanik me ministren për Integrimin Europian të Kosovës Vlora Çitaku.

Londra është tërësisht e përfshirë në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Lidington, duke shprehur bindjen se arritja e marrëveshjeve mes dy vendeve shënon hapa pozitivë dhe sjell Serbinë dhe Kosovën më afër Bashkimit Europian.

Britania e Madhe përkrah fuqishëm Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit europian dhe raportet e mira me fqinjët i kontribuojnë avancimit të procesit të integrimit, deklaroi Lidington, citon gazeta kosovare Bota Sot.

mit/NOA