17/12/2004  TIRANË – "Burrin më vrau Mark Kola me dy djemtë e tij Ilir Kola dhe Ernest Kola. Unë vetë nuk kam parë asgjë, por pas vrasjes në datë 27 mars 1996 në orët e pasdites erdhi vajza dhe më tregoi gjithçka. Vajza ime Drita që tani është në Greqi ishte me babain kur ai u qëllua për vdekje në mes të qytetit të Laçit". Është një histori gjakmarrje e cila ka ulur në bankën e të akuzuarëve dy djemtë dhe babain e tyre. Akuzohen se në bashkëpunim me njëri – tjetrin, me paramendim kanë vrarë në mars të 1996 shtetasin Ndue Frrok Ndreca nga një fshat i Lezhës, i cili ditën e ngjarjes kishte zbritur për të bërë pazarin. Bashkëshortja e viktimës Liza Ndreca i tregoi dje gjykatës se me familjen e vrasësve kanë qenë miq. Liza tha se shkak për t'i vrarë burrin është bërë vdekja e djalit të Mark Kolës në Greqi. "Mark Kolës i vdiq djali në Greqi. Djali tjetër i tij Iliri që vrau burrin tim, akuzoi për vrasjen e vëllait, djalin tim, Valentitin. Policia Greke e arrestoi Valentinin dhe për dy vjet e mbajti në burg. Djali im doli i pafajshëm, por Mark Kola me djemtë na dërguan lajm se do të merrnin gjak. Burri im nuk ruhej asnjëherë sepse ne nuk kishim vrarë njeri". Kështu dëshmoi dje Liza Ndreca, e cila më pas shtoi se pasi mbuloi me dhe bashkëshortin, i pandehuri Mark Kola i ka dërguar lajm që vrasësin të mos e kërkonte në ndonjë vend tjetër. Të gjithë ngjarjen ma ka treguar vajza ime Drita, është shprehur dëshmitarja. "Drita më tha se së bashku me babain pasi bënë furnizimin do të niseshin për në shtëpi. I pari që ka qëlluar mbi të ka qenë djali i Mark Kolës, Iliri. Vrasja është kryer nga afër". Nga ana e tyre të pandehurit kundërshtojnë të jenë vrasësit e bashkëshortit të Lizës.