Javën që vjen do të nisin aplikimet e reja për Lotarinë Amerikane. Ambasada e SHBA në Tiranë bëri dje me dije afatet dhe procedurat. Periudha e aplikimit për Lotarinë Amerikane (Viza e Shumëllojshmërisë – DV) fillon më datë 4 tetor 2011, ora 18:00, dhe përfundon në orën 18:00 të datës 5 nëntor 2011. Nuk ka asnjë tarifë për tu regjistruar për lotarinë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në Konsullatë vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur, thuhet në njoftimin e Ambasadës. Sipas tij, regjistrimi për lotarinë bëhet në faqen e internetit: www.dvlottery.state.gov. Rregullat dhe udhëzimet në gjuhën shqipe gjenden në faqen e internetit të Ambasadës: albanian.tirana.usembassy.gov/dv.html. Para aplikimit për lotarinë duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar. Kërkesa për arsim të mesëm, të barabartë me arsimin e  mesëm në Shtetet e Bashkuara, është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për tu kualifikuar, janë të kufizuara, bën me dije Ambasada. Sipas deklaratës për media, kualifikimet nuk shqyrtohen para intervistës, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë. Po kështu publikohen edhe një sërë rregullash. Ata që dëshirojnë të aplikojnë duhet të dinë se aplikanti duhet të regjistrohet vetëm një herë në vit. Aplikanti (kryesor) duhet të përfshijë bashkëshortin/en dhe fëmijët nën 21 vjeç në aplikim, përfshirë fëmijët e adoptuar, fëmijët e bashkëshortit/es nga martesa të mëparshme (thjeshtërit) dhe fëmijë, të cilët mund të mos jetojnë aktualisht me të. Nuk ju kërkohet të përfshini fëmijët, të cilët në momentin e regjistrimit tuaj për lotari janë shtetas amerikanë apo rezidentë të përhershëm ligjorë. Për tu kualifikuar për lotarinë nëpërmjet arsimit, aplikanti kryesor duhet të ketë kryer shkollën e mesme me kohë të plotë. Edukimi me korrespondencë, pa shkëputje nga puna ose natën, edhe ai 5-vjeçar, nuk është i  mjaftueshëm për kualifikim, sqaron zyra konsullore e Ambasadës. Nëse në momentin e intervistës, në seksionin konsullor rezulton se aplikanti kryesor është regjistruar më shumë se një herë (brenda një viti) ose nuk ka përfshirë një person nën varësinë e tij, aplikanti do të skualifikohet edhe nëse ai është përzgjedhur për lotarinë dhe/ose ka paguar tarifën e intervistës. Pas regjistrimit me sukses për lotarinë, në ekranin e kompjuterit duhet të shfaqet një numër konfirmimi i aplikimit (Application Confirmation Number), thuhet në deklaratë. Numri i konfirmimit duhet ruajtur të paktën deri në qershor 2013. Numri i konfirmimit është e vetmja mënyrë për të parë nëse aplikanti (dhe familja e tij) është përzgjedhur. Nëse aplikanti përzgjidhet, kjo është e vetmja mënyrë për të parë se kur është planifikuar data e tij e intervistës. Nëse aplikanti humbet numrin e konfirmimit, nuk ka asnjë mënyrë për ta rigjetur atë nëpërmjet seksionit konsullor apo Departamentit të Shtetit, ndaj duhet ruajtur. Asnjë fitues nuk do të njoftohet nëpërmjet postës apo e-mail-it.


aplikimi dhe fotot


.Aplikimet me letër nuk do të pranohen.


.Metoda e vetme për regjistrim në Programin e Vizave të Shumëllojshmërisë DV-2013, është nëpërmjet procesit elektronik.


.Është shumë e rëndësishme që të dërgohen të gjitha fotografitë e kërkuara.


.Aplikimi juaj do të skualifikohet në qoftë se nuk dërgohen elektronikisht të gjitha fotografitë e kërkuara në kohën kur aplikoni. Fotografi, në të cilat keni dalë kohët e fundit, duhen dërguar elektronikisht, së bashku me formularin e aplikimit të lotarisë, për secilin nga njerëzit e mëposhtëm:


.Fotografia juaj:


.E bashkëshort-it/es tuaj:


.E çdo fëmije të pamartuar, nën moshën 21 vjeç në kohën e aplikimit tuaj elektronik, duke përfshirë të gjithë fëmijët natyralë, si dhe edhe fëmijët e adoptuar ligjërisht apo fëmijët e bashkëshort-it/es, edhe në qoftë se një fëmijë nuk jeton së bashku me ju, ose nuk dëshiron të emigrojë me ju në këtë program lotarie.


.Mosdërgimi i fotografive të kërkuara për bashkëshort-in/en dhe për çdo fëmijë të listuar, do të rezultojë si një regjistrim i papërfunduar në sistemin e regjistrimit të aplikimit të lotarisë. Aplikimi juaj nuk do të pranohet dhe ju duhet ta dërgoni edhe njëherë.


.Në aplikimin tuaj, ju duhet të përfshini bashkëshortin (burrin ose gruan) dhe të gjithë fëmijët e pamartuar, nën 21 vjeç, pavarësisht nëse ata jetojnë me peticionerin ose kanë për qëllim ta shoqërojnë ose ti bashkohen më vonë atij, në rast se peticioneri emigron për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me përjashtim të fëmijëve që janë qytetarë amerikanë ose rezidentë të përhershëm ligjorë.


.Një bashkëshort/bashkëshorte ose fëmijë, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të kërkojë dhe as do të pajiset me vizë lotarie (DV-je). Sidoqoftë, ju duhet të përfshini të gjithë pjesëtarët e familjes në regjistrim dhe fotot e secilit pjesëtar të familjes që do të aplikojnë për një vizë lotarie.


ZIRINA LLAMBRO