Luçiano Moxhi mund të jetë dënuar për të mos u marrë më me futbollin, pas Calciopoli në Itali, por këshillat e tij janë të vlefshme për shumë presidentë e drejtues klubesh në të gjithë Europën.


Ish-drejtori legjendar i Juventusit, ka mbërritur për një vizitë në Shqipëri, me një agjendë të mirëpërcaktuar.


Rubrika Sportive në RTSH raporton se Moxhi ka firmosur për Partizanin, duke u bërë këshilltari i presidentit Gaz Demi.


Por, një gjë e tillë do të mbetet për tu konfirmuar në ditët në vijim kur pritet të ketë edhe një njoftim nga ana e skuadrës së kuqe.


Ndërkohë që ai do të jetë i pranishëm me këtë rol të ri që në derbin e madh të kryeqytetit, i cili do të luhet nesër, në orën 19:00, në Selman Stermasi.


Këshillat e tij për kreun e klubit 15 herë kampion të Shqipërisë do të jenë të shumanshme, ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe sugjerimet për lojtarë e trajnerë, që mund ta shpien Partizanin në një stad tjetër, me qasje europiane.


Ky përforcim mund të konsiderohet si tejet i goditur për të kuqtë, që këtë sezon po garojnë dhëmbë për dhëmbë me Kukësin e Skënderbeun për titullin kampion.