kimeteNga Kimete Berisha


 


Mustafa Nano ka thënë: “Me gegët mund të bësh komb, me toskët mund të bësh shtet.


Shqiptarëve nuk u ka ndodhur lufta qytetare “Veriu dhe Jugu” si amerikanëve, për shembull. Por, lufta qytetare e “Veriut dhe Jugut” shqiptar ka ndodhur dhe ndodh në shkronja dhe në kulturë.


Toskët e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë veten qytetarë dhe superior ndaj gegëve. Superioritetin e kanë bazuar dhe e varin ekskluzivisht në dy pikat e zanores “ë” dhe sidomos në bashkëtingëlloren e fortë, në “ç”.


Për toskët- gegët janë katundarë.


Për gegët- toskët janë qytetarë.


Pasi toskët e bëjnë shtetin (pa komb), ndërsa gegët e bëjnë kombin (pa shtet), ndodh lufta e fjalëve që nuk përgjak asnjërin prej tyre dhe nuk zgjidhin asnjë problem kulturor.


Prandaj, lufta kurrë nuk përfundon.


Tosku, për shkak se ka shtet, e shfrytëzon forcën e pushtetit të tij, për t’ia marrë anën dhe për ta mundur dialektin gegë.


Gegu, për shkak se ka talent të bëhet komb, por jo shtet, e pranon forcën e pushtetit toskë, dhe e respekton pushtetin gjuhësor të Jugut.


Çfarë talenti është ky i gegut për të bërë komb, kur gegu nga Kosova heq dorë nga e folmja e tij për shkak të pushtetit gjuhësor të shtetit të tij të ndarë, toskë!


Tosku është materialist (Marks).


Gegu është idealist (Hegel).


Tosku është i obsesionuar për paré dhe për t’u pasuruar (cresomania).


Tosku është i obsesionuar për lirinë, për idealin dhe për Zotin.


Nëse do t’ia zbulosh “thembrën e Akilit”, fytyrën e vërtetë toskut- preke në paré dhe në pasuri.


Nëse do t’ia zbulosh “thembrën e Akilit”, fytyrën e vërtetë gegut- preke në familje, në moral dhe në ideal.


Toskët i fetishizojnë paret.


Gegët i japin paret për dashuri.


Toskët janë mendjemëdhenj dhe egoistë.


Gegët janë inferiorë dhe të pasigurtë.


Tosku e ka tradhëtuar gegun, e ka mashtruar, ia ka injoruar të folmen. Qëndrimi i toskut ndaj gegut ka qenë dhe është racist, sepse tosku- gegun e ka injoruar, ia ka mohuar të drejtën elementare- të folmen e tij gegnishte.


Toskët nuk bëjnë shtet (Shqipërinë ua kanë copëtuar), por toskët janë të aftë për pushtet me të huajt.


Gegët nuk heqin dorë nga ideali për bashkim kombëtar.


Me toskun e shëtit botën.


Me gegun mund të shkosh vetëm në Hënë!!!


Gegut i kalon jeta duke e bindur toskun që ka vlera.


Toskut i kalon jeta duke e bindur gegun se mbetet një katundar i përjetshëm.


Tosku të mëson se lumturia blihet me pare.


Gegu të mëson se lumturia është dashuria.


Toskun dhe gegun i bashkon dëshpërimi- njësoj, nuk janë të lumtur. Se, lumturia as nuk blihet me paré, as nuk është dashuria. Lumturia nuk ekziston. Është një dëshirë e sëmurë për të shpëtuar nga pikëllimi.


Gegu e ka përjetësuar toskun në këngë me çifteli!


P.S. Si gege që jam, në prani të një tosku ndjehem si një Q e butë dhe një zanore e imponuar!