Autori i Lajmit: red.
Kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha, refuzon të mbrohet nga avokatë të caktuar nga gjykata. Kjo është bërë shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor për të 37-ën herë radhazi. Prej rreth një viti togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk kanë mundur të zhvillojnë asnjë seancë, pasi mungesa e avokatëve, sipas një “grafiku”, mban peng procesin. Ndërkohë që shqyrtimi gjyqësor ka mbetur në një pikë kyçe, në të cilën i penduari i drejtësisë, Adriatik Coli, pritet të rrëfejë para gjykatës krimet e bandës, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai. Trupi gjykues është detyruar të shtyjë seancën dhe të njoftojë për të 37 herë Dhomën e Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për mungesën e avokatëve dhe pamundësinë e zhvillimit të seancave gjyqësore.

Caktimi i avokatëve

Pak muaj më parë, gjykata vendosi që Lul Berisha të mbrohet gjatë procesit gjyqësor nga avokatë të caktuar nga gjykata. Vendimi u mor pasi disa kohë më parë, po kjo Gjykatë, shkarkoi për braktisje të sallës gjyqësore avokatët mbrojtës të të pandehurve. Seanca e djeshme gjyqësore, edhe pse e shkurtër, është shoqëruar nga debate të shumta nga ana e të akuzuarve. Gjykata mori këtë vendim pasi mungesa e herëpashershme e avokatëve mbrojtës po shkaktonte shtyrje njëri pas tjetrit të proceseve gjyqësore.

“Banda e Durrësit”

Të pandehurit e Bandës së Durrësit, akuzohen për një sërë veprash penale, ekzekutimesh por edhe tentativa vrasjesh në kuadër të organizatës kriminale, ku gjyqi nisi në korrik të vitit të kaluar. Hetimi për të pandehurit e Bandës së Durrësit ka nisur në prill të vitit 2005, pas vrasjes së Klodian Saliut. Gjatë hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu (aktualisht i vrarë), që nga viti 1997 e në vazhdim, kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale, në të cilën bënin pjesë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Indrit Dokle, si dhe Ilir Xhunga dhe Arben Paja, këta të vrarë. Teksa hetonte vrasjen e Saliut, Prokuroria arriti të zbardhte një tjetër vrasje, atë të datës 17 tetor të vitit 1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi. Më pas janë vrarë Arjan Paja e Viron Curri, si dhe është plagosur Marsel Sotiri, i cili u vra më vonë. Seriali ka vazhduar deri në vitin 2007, kur u kap edhe pjesa tjetër e të kërkuarve në Tiranë e spitalet e Durrësit.



Të akuzuarit

Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi. Sipas Prokurorisë, nga viti 1998 deri në vitin 2002, Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kanë qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale.



Lulëzim Berisha

Akuzohet nga Prokuroria si drejtuesi i organizatës kriminale të krijuar në vitin 1994 me të njëjtin emër. Është arrestuar në Maqedoni dhe tani qëndron në qelinë e paraburgimit 302. Berisha akuzohet për vrasjen e Dritan Sallakut, Arjan Pajës, Virion Currit, Eduart Ongarit dhe Marsel Sotirit. Ka qenë ai që ka udhëhequr të gjitha operacionet e vrasjeve dhe të ekzekutimeve të bëra nga kjo bandë. Tani Lul Berisha gjendet në burgun 302 deri në pritje të vendimit të gjykatës.



Plaurent Dervishaj

Plaurent Dervishaj, i kërkuar nga FBI, është një nga anëtarët e organizatës së Lulëzim Berishës që nga viti 1997. Ai akuzohet nga Prokuroria për vrasje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Plaurent Dervishaj është i vetmi nga kapot e kësaj bande në arrati, pas arrestimit të Indrit Taullait, ndërsa roli i vëllait të tij nuk është i qartë në këtë grup, edhe pse në dokumentet e FBI-së duket se është pikërisht ky person që mbahet parasysh kur flitet për kontakte të Plaurent Dervishajt në Kuins të Nju-Jorkut.



Indrit Taullaj

Është një nga anëtarët e Bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim nga policia. Miku i Lulëzim Berishës, i cilësuar si drejtues i bandës, akuzohet për veprën penale të vrasjes. Sipas akuzës, Indrit Taullaj, në bashkëpunim me Endrit Doklen, pas arrestimit të Saliut, kanë marrë dhe kanë mbajtur peng, për 18 muaj, duke e izoluar në banesën e tij, Valbona Jahon, me qëllim që të shmangte dëshminë e saj para hetuesve dhe si rrjedhim për t iu shmangur dënimit të Klodian Saliut.



Adriatik Coli

Adriatik Coli është një nga të penduarit e Bandës së Durrësit, si rrjedhojë e dëshmive të tij janë zbuluar vrasjet e bëra nga kjo bandë. Madje, ditën e djeshme në sallën e gjyqit ka kërcënuar se do të ketë emra të tjerë që do të arrestohen dhe do të përgjigjen përpara drejtësisë për krimet e kryera. Ai ka treguar detaj pas detaji të gjitha vrasjet e kryera nga kjo bandë. Madje ka pranuar se ka ekzekutuar dhe vetë persona bashkë me shokët e tij, duke bërë në këtë mënyrë pakt me drejtësinë.

Ky lajm është publikuar: 09/01/2009